Kryeministri Rama është nisur sot për një vizitë dy-ditore në Landin e Hessenit në Gjermani. Qëllimi i vizitës, sipas njoftimit të zyrës së Kryeminstrit, është për të marrë pjesë një forum biznesi dhe investimesh.
Duke gjykuar nga axhenda, kjo vizitë ngjan me disa vizita të tjera të tij: Kryeministri ka rregulluar fillimisht hapjen e ekspozitës së tij të skicave në një vend të caktuar, pastaj ka organizuar një takim apo forum biznesi në atë vend, si dhe takime me drejtuesit politikë lokalë. Forumi dhe takimet kanë shërbyer si pretekst i vizitës së tij, por edhe si mjet për të rritur vizibilitetin e ekspozitës. Kështu ka vepruar Kryeministri, së fundmi, në rastin e vizitës në Mynih dhe në Hong Kong.
Sidoqë të jetë, forumet e tilla të biznesit apo investimeve nëpër qytete të ndryshme të botës kanë rezultuar joefektive. Deri më sot, qeveria shqiptare ka organziuar mbi 12 të tilla, shumicën e tyre në Itali dhe Austri, pa patur asnjë rezultat konkret në investimet e huaja apo tregtinë me jashtë.