Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi ka ndërprerë sot aksionin e IKMT-së për shembjen e ndërtimeve pa leje në Velipojë.
Ademi kërkoi nga IKMT të gjithë dokumentetet dhe vendimet për shembjen e ndërtesave, pasi dyshon se shembja e tyre po bëhet në mënyrë të paligjshme.
Ajo akuzoi IKMT-së se ka përdorur emrin e kryebashkiakes për të nisur shembjen e ndërtimeve, kur në të vërtetë bashkia nuk ka firmosur asnjë urdhër shembjeje:
“Kur ka një vendim të IMT-së, është bashkia Shkodër që jep urdhrin. Nuk ka bërë ndonjëherë vaki që IKMT me procesverbal të bashkisë Shkodër të marrë urdhër. E bën urdhrin vetë për procesverbalet e veta.
Ndërhyrja është e paligjshme dhe unë po pres që të kemi urdhrin me shkrim.”
Nëse IKMT nuk bën publike vendimet për shembjen e ndërtesave pa leje, Ademi paralajmëroi se do të kërkojnë dëmshpërblim për dëmet që i janë shkaktuar bashkisë së Shkodrës, dhe sezonit turistik.
Një ditë më parë, IKMT u përplas me qytetarët e Velipojës për shembjen e ndërtimeve pa leje.
Kryebashkiakët Ademi dhe Ndreu i Lezhës kundërshtuan nismën e qeverisë për shembjen e ndërtimeve pa leje në fillim të sezonit turistik, në një vit ndryshe nga të tjerët për shkak të pandemisë.