Air Albania blen me 3,2 milionë euro emrin e Stadiumit Kombëtar, dyshime për tenderin

Nga Erblin Vukaj
Air Albania blen me 3,2 milionë euro emrin e Stadiumit Kombëtar, dyshime për tenderin

Kompania e fluturimeve Air Albania ka blerë për 3,2 milionë euro emrin e Stadiumit Kombëtar, por blerja duket se nuk ka respektuar një nga kushtet e vendosura nga FSHF, që kompania duhet të kishte të paktën 10 milionë euro xhiro vjetore. Air Albania u themelua vitin kaluar dhe për 2018-ën nuk kishte të ardhura.

Top-Channel raportoi se Air Albania paraqiti ofertë prej 650 mijë eurosh në vit për të blerë për 5 vite emrin e Stadiumit Kombëtar. Oferta thuhet se ishte më e madhe se interesi i shprehur nga Bolv-Oil, Vodafone apo Sigal.

Marrëveshja, e cila nënshkruhet të hënën, ngjall dyshime pasi kushtet e vendosura nga FSHF ishin që “kompania të kishte xhiro prej të paktën 10 milionë eurosh në vit”.

Në thirrjen e muajit korrik FSHF thoshte:

Shfaqja e interesit (nga kompanitë) do të konsistojë në një letër ku të parashtrohet deklarimi i kompanisë se është e interesuar dhe të paraqitet dokumentacion bazë për xhiron e kompanisë dhe një CV të saj në lidhje me veprimtarinë në vendin tonë apo jashtë tij.

Nuk është e qartë se si kompania Air Albania, e formuar më 13 gusht të vitit 2018 – me aksioner 10 për qind AlbControl (shtetërore), 41 për qind MDN Investment dhe 49 për qind nga Turk Hava Yollari – i ka plotësuar kushtet e thirrjes së shpallur më 22 korrik të këtij viti.

Pra, nuk është e qartë se si Air Albania u kualifikua, megjithëse nuk kishte mbushur as një vit aktivitet në momentin e hapjes së thirrjes. Ndërkohë në bilancin e vitit 2018 ajo rezultoi pa të ardhura dhe me 100 mijë euro humbje (12,265,000 lekë).

Bilanci i paraqitur në QKR për periudhën gusht-dhjetor 2018 nga Air Albania.

Kompania Qendra Sportive Kuqezi, e cila zotëron “anën sportive të Stadiumit Kombëtar” ka aksioner 25 për qind Ministrinë e Ekonomisë dhe 75 për qind FSHF-ën. Megjithatë ajo nuk e sheh të detyrueshme respektimin e transparencës, aq më shumë kur bëhet fjalë për Stadiumin Kombëtar.

Vlen të theksohet se pjesa tjetër, “jo-sportive” – e cila është e paqartë se çfarë sipërfaqe ka – është në pronësi të privatëve dhe do të vazhdohet të quhet Arena Center.

Kështu marrëveshja e shitjes së emrit i shtohet serisë së marrëveshjeve të dyshimta dhe jo-transparente mes qeverisë, FSHF-ës dhe privatëve, të cilat kanë përçudnuar Stadiumin Kombëtar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>