Akademia e Shkencave ktheu të martën përgjigje për dyshimet mbi besueshmërinë e studimit, ku sipas të cilit 50% e popullsisë të Tiranës është pozitive ndaj virusit.
Sipas ASH studimi i tyre është i besueshëm. Këtë deklaratë Akademia e mbështet në argumentin se kanë përdorur të njëjtat metoda kërkimore si shumë vende të BE.
Akademia e Shkencave thotë në njoftim:
“Studimi është kryer me të njëjtat procedura kërkimore me të cilat është bërë hulumtimi epidemiologjik i shkallës së prekjes së popullatës nga Covid-19 në një shumicë vendesh të Europës dhe të Botës”.
Sa i takon rezultateve të studimit ASH thotë se:
“Të dhënat që kanë rezultuar në mbyllje të fazës së dytë të këtij studimi, i cili u përfundua në muajin dhjetor të vitit të kaluar, janë me të njëjtën shkallë besueshmërie si në të gjitha rastet që është zbatuar e njëjta metodë testimi në vendet europiane dhe në vende të tjera”.
Popullata e marrë në shqyrtim në studim ishte 258 mijë banorë të Tiranës. Sipas përfundimeve të studimit do të thotë se rreth 130 mijë banorë janë infektuar me COVID-19 dhe kanë krijuar anti-trupa.
Kjo shifër është më shumë se dyfishi i rasteve të regjistruara në të gjithë Shqipërinë që prej fillimit të pandemisë, 63,971, siç raportohet nga ministria e Shëndetësisë.
A sugjerojnë të dhënat e studimit të Akademisë së Shkencave që jemi pranë ‘imunitetit të tufës’?
Në varësi se sa ngjitës është një virus, zakonisht 50% deri 90% e një popullate ka nevojë për imunitet për të arritur imunitetin e tufës, sipas Universitetit John Hopkins.
Pra në rastin e Tiranës, mund të mendohet se është pranë imunitetit të tufës. Por OBSH sugjeron se në rastin e COVID-19 është e vështirë të thuhet një gjë e tillë pasi sëmundja ka ende shumë të panjohura.
Por Akademia e Shkencave të martën u shpreh se studimi nuk ka karakter diagnostikues, por verifikues për situatën reale të shtrirjes së infeksionit nga Covid-19, duke iu referuar pranisë së antitrupave anti-Sars-Cov-2 në popullatën e kryeqytetit.
Sipas ASH numri i të infektuarve real mund të jetë deri 10-15 herë më i lartë se numri i të sëmurëve me Covid-19, raport i cili ndryshon në vartësi të shtrirjes së testimeve serologjike.
Duke theksuar sërish rezultatet e studimit të publikuar në dhjetor, Akademia e Shkencave shprehet se:
“Studime të tilla nuk bëhen për të krijuar imazhe iluzive mbi realitetin, as për të krijuar situata euforike, por për të njohur gjendjen e vërtetë të përhapjes së pandemisë me të njëjtën shkallë besueshmërie si edhe në raste analoge në vende të tjera, pranë dhe larg nesh”.