Akademia e Shkencave mbron studimin e saj: Kemi përdorur metodat e BE-së

Nga Exit News
Akademia e Shkencave mbron studimin e saj: Kemi përdorur metodat e BE-së

Akademia e Shkencave ktheu të martën përgjigje për dyshimet mbi besueshmërinë e studimit, ku sipas të cilit 50% e popullsisë të Tiranës është pozitive ndaj virusit.

Sipas ASH studimi i tyre  është i besueshëm. Këtë deklaratë Akademia e mbështet në argumentin se  kanë përdorur të njëjtat metoda kërkimore si shumë vende të BE.

Akademia e Shkencave thotë në njoftim:

“Studimi është kryer me të njëjtat procedura kërkimore me të cilat është bërë hulumtimi epidemiologjik i shkallës së prekjes së popullatës nga Covid-19 në një shumicë vendesh të Europës dhe të Botës”.

Sa i takon rezultateve të studimit  ASH thotë se:

“Të dhënat që kanë rezultuar në mbyllje të fazës së dytë të këtij studimi, i cili u përfundua në muajin dhjetor të vitit të kaluar, janë me të njëjtën shkallë besueshmërie si në të gjitha rastet që është zbatuar e njëjta metodë testimi në vendet europiane dhe në vende të tjera”.

Popullata e marrë në shqyrtim në studim ishte 258 mijë banorë të Tiranës. Sipas përfundimeve të studimit do të thotë se rreth 130 mijë banorë janë infektuar me COVID-19 dhe kanë krijuar anti-trupa.

Kjo shifër është më shumë se dyfishi i rasteve të regjistruara në të gjithë Shqipërinë që prej fillimit të pandemisë, 63,971, siç raportohet nga ministria e Shëndetësisë.

A sugjerojnë të dhënat e studimit të Akademisë së Shkencave që jemi pranë ‘imunitetit të tufës’?

Në varësi se sa ngjitës është një virus, zakonisht 50% deri 90% e një popullate ka nevojë për imunitet për të arritur imunitetin e tufës, sipas Universitetit John Hopkins.

Pra në rastin e Tiranës, mund të mendohet se është pranë imunitetit të tufës. Por OBSH sugjeron se në rastin e COVID-19 është e vështirë të thuhet një gjë e tillë pasi sëmundja ka ende shumë të panjohura.

Por Akademia e Shkencave të martën u shpreh se studimi nuk ka karakter diagnostikues, por verifikues për situatën reale të shtrirjes së infeksionit nga Covid-19, duke iu referuar pranisë së antitrupave anti-Sars-Cov-2 në popullatën e kryeqytetit.

Sipas ASH numri i të infektuarve real mund të jetë deri 10-15 herë më i lartë se numri i të sëmurëve me Covid-19, raport i cili ndryshon në vartësi të shtrirjes së testimeve serologjike.

Duke theksuar sërish rezultatet e studimit të publikuar në dhjetor, Akademia e Shkencave shprehet se:

“Studime të tilla nuk bëhen për të krijuar imazhe iluzive mbi realitetin, as për të krijuar situata euforike, por për të njohur gjendjen e vërtetë të përhapjes së pandemisë me të njëjtën shkallë besueshmërie si edhe në raste analoge në vende të tjera, pranë dhe larg nesh”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>