Një minator u aksidentua gjatë punës në minierë të mërkurën.
Ngjarja ka ndodhur në një nga galeritë e kromit të kompanisë Albchrome në Bulqizë.
Bora Mikli zëdhënëse e Policisë Dibër, konfirmoi për Birn se “ngjarja ka ndodhur në nivelin e 18-të, në turnin e parë”.
Gjatë tre muajve të parë të 2021 janë aksidentuar gjashtë minator në galeritë e Albchrome.
Minatori është jashtë rrezikut për jetën, sipas medias lokale “Bulqiza ime”.
Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës tha se minatori që u aksidentua është Ylli Gjura, i cili punonte në minierën e Bulqizës prej 30 vjetësh.
Sindikata kërkoi “hetim serioz të aksidentit dhe kushteve të sigurisë teknike”.
Ky aksident i ndodhur në minierën e Albchrome, nuk është rast i rrallë, as i veçuar, tha Sindikata.
“Pavarësisht propagandës për “investime të jashtëzakonshme”, Albchrome është shndërruar nga minierë kromi në minierë aksidentesh”, thuhet në njoftim.
Kompania Albchrome ka shkruar për aksidentin: “Ka pësuar vetëm një frakturë të gishtit tregues të njërës dorë dhe pritet të rikthehet në punë shumë shpejt”.
Më 24 shkurt minatori Fiqiri Karaj humbi jetën në minierat e Zonës D në Bulqizë.
Me gjithë vdekjet e shumë minatorëve në minierat e kromit në Bulqizë, asnjë drejtues apo pronar i kompanive koncesionare nuk është ndjekur penalisht në tre vitet e fundit.
Në shumicën e rasteve fajtor është bërë minatori duke thënë se “nuk është treguar i kujdesshëm”.