Aktivistët e shoqërisë civile po vazhdojnë betejën e tyre kundër ndërtimeve në parkun e Liqenit Artificial në Tiranë.
Ata kërkojnë të shpallin të pavlefshme aktet administrative dhe zbatimin e projektit të Bashkisë së Tiranës për ndërtimin e një parku lojërash tek Liqeni Artificial.
Ata kanë dërguar rekurs çështjen, çka do të thotë se Gjykata do të vlerësojë nëse procesi i gjykimit të çështjes ka pasur probleme dhe ta rikthejë për gjykim.
Protesta tek Parku i Liqenit
Beteja e tyre ka nisur në vitin 2016, kur bashkia e Tiranës rrethoi parkun në Liqenin Artificial të Tiranës. Bashkia e rrethoi pa asnjë lajmërim. Kjo bëri që qindra qytetarë dhe aktivistë të dilnin në protestë.
Organizata mjedisorë, aktivistë e qytetarë akuzonin Bashkinë e Tiranës se ka ndërhyrë në mënyrë shkatërrimtare dhe jo ligjore në betonimin e parkun.
Beteja e tyre kundër Bashkisë së Tiranës zgjati më shumë se 80 ditë, ku pati përplasje me policinë e dhjetra të arrestuar.
Andi Tepelena, Ervin Goci dhe Rezarta Caushaj dhe disa prej aktivistëve të tjerë në 2016 iu drejtuan gjykatës administrative të Tiranës duke paditur bashkinë se për ndërtimin e projektit ka shkelur ligjin nr. 10 431, datë 9.6.2011 “Për mbrojtjen e mjedisit”; Ligjin nr. 8672, datë 26.10.2000 “Për të drejtën e publikut për të pasur informacion, për të marrë pjesë në vendimmarrje dhe për t’iu drejtuar gjykatës për çështjet e mjedisit” dhe Ligjin nr.10 440, datë 7.7. 2011 “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, etj.
Në padinë e tyre ata pretenduan se “dispozitat e shkelura kanë sjellë zhvillimin e një leje ndërtimi pa marrë më parë leje të posaçme mjedisore dhe pa kryer konsultime publike sipas dispozitave ligjore”.
“Konkretisht legjislacioni i referuar si shkak ligjor kërkon që pjesë e dokumentacionit lejues të ndërtimit të një parku tematik në një zonë të mbrojtur, Park Kombëtar, nuk mjafton një leje ndërtimi por duhet edhe miratimi i lejeve mjedisore si Vlerësim Strategjik Mjedisor, Vlerësim i Ndikimit në Mjedis dhe leje të tjera mjedisore si dhe konsultimi publik që shoqëron këto vlerësime”, shkruan Respublica.
Bashkia e Tiranës nuk i ka përmbushur këto detyrime ligjore. Ajo po vijon punimet për ndërtimin e këndit të lojërave.
Në korrik 2016 Gjykata Administrative vendosi rrëzimin e kërkesës së padisë së aktivistëve. Argumenti i tyre sihte se “ata duke mos qenë pronarë të prekur të liqenit nuk ishin dëmtuar drejtpërsëdrejti”. Gjykata nuk u thellua më tej për të marrë në shqyrtim argumentet për paligjshmërinë e zbatimit të projektit. Vendimi u la në fuqi në dhjetor 2020 nga Gjykata Administrative e Apelit Tiranë.
Kjo e fundit ndryshe nga gjykata e shkallës së parë, i njohu të drejtën aktivistëve në ngritjen e padisë, por nuk vlerësoi drejt kërkimet e tyre në lidhje me paligjshmërinë e zbatimit të projektit.
“Kjo ishte hera e parë që një gjykatë e këtij niveli njeh legjitimimin e çdo qytetari për të ngritur padi për çështje mjedisore, pavarësisht se preket apo jo në mënyrë direkt dhe është apo jo i organizuar në formën e një shoqate”, thekson Respublica.
Kërkesa për rekurs në Gjykatën e Lartë
Aktivistët nisur nga ky vendim kanë bërë rekurs në Gjykatën e Lartë.
Ata kërkojnë “Prishjen e vendimit nr. 1066, datë 17.12.2020 të Gjykatës Administrative të Apelit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në këtë gjykatë me tjetër trup gjykues”.
Rekursi u dorëzua në gjykatë më 12 prill 2021. Avokati i paditësve Dorian Matlija argumenton se: “Gjykatat kanë shkelur rëndë ligjin pasi kanë vlerësuar si të vlefshëm një akt administrativ (lejen e ndërtimit) dhe si të ligjshme veprimet (zhvillimin e lejes së ndërtimit) pa konsultuar vetë ligjin, por duke u bazuar në një shkresë të Ministrisë së Mjedisit, e cili për më tepër është një akt absolutisht i pavlefshëm, i kontestueshëm kryesisht nga vetë gjykata”.
Punimet e ndërtimit të nisura në paligjshmëri të plotë dhe duke anashkaluar tërësisht institucionet e mbrojtjes së mjedisit, u kryen brenda zonës së identifikuar si Kurora e Gjelbër e Tiranës.
Në rekursin e bërë në Gjykatën e Lartë me anë të të cilit kërkohet shfuqizimi i lejes së ndërtimit për parkun e lojërave dhe rigjykimi i çështjes nga një trup tjetër gjykuese, thuhet:
“Bashkia e Tiranës, jo vetëm që nuk ka hartuar raportin paraprak të VNM-së siç kërkohet nga Ligji i VNM-së për parqet tematike dhe nuk ka aplikuar për ndjekjen e procesit të VNM-së paraprake, por mbi të gjitha ka nisur punimet e ndërtimit të parkut të lojërave që në datën 10 Shkurt 2016 pa asnjë akt të vlefshëm administrative që miratonte kryerjen e punimeve të ndërtimit në fjalë. Me anë të kësaj veprimtarie, Bashkia e Tiranës jo vetëm ka shkelur legjislacionin në fuqi në lidhje me zhvillimin e territorit dhe vlerësimit të ndikimit në mjedis, duke kryer një veprimtari të paligjshme administrative, por ka penguar edhe ushtrimin e të drejtave të publikut të interesuar për të marrë pjesë në vendimmarrjen mjedisore”.
Historia e Parkut
Parku i Madh i Liqenit Artificial të Tiranës u krijua në vitin 1958. Ai kishte një sipërfaqe prej 250 ha.
Më pas, rreth Parkut u ndërtua Kopshti Zoologjik, Rruga e 1000 selvive, Varrezat e Dëshmorëve e Fidanishtja, të cilat e rritën sipërfaqen e tij në 440 ha.
Sipërfaqja e parkut të liqenit ka ardhur duke u zvogëluar si pasojë e ndërtimeve që kanë ndodhur vitet e fundit.