Aktivistët e teatrit distancohen nga akuzat ndaj ambasadorit Soreca

Nga Exit News
Aktivistët e teatrit distancohen nga akuzat ndaj ambasadorit Soreca

Një numër aktivistësh, të cilët komunikojnë përmes faqes “Ne Jemi Teatri” kanë bërë një deklaratë ku distancohen nga disa veprime të fundit të disa aktivistëve të Aleancës, pasi kanë përdorur emrin e Aleancës dhe jo emrin e tyre personal.

Në një deklaratë për median, të premten, aktivistët sqarojnë se:

“Aleanca për Teatrin nuk funksionon më prej disa muajsh. Grupime të ndryshme nga kjo Aleancë vendosën të ndahen dhe të ndjekin drejtime të ndryshme.

Veprimet e kryera duke përdorur logon e Aleancës janë veprime të kryera për interesa personale dhe jo për interes të Aleancës.

Çdo akt dhe aksion, formal dhe informal, që kryhet duke përdorur logon e Aleancës, përfaqëson vullnetin e aktivistëve nominalë, që veprojnë në të drejtën e tyre, por jo të Aleancës.

Ky ka qenë dhe vullneti i përbashkët, që për veprime pa konsesus të gjerë, gjithsecili të veprojë në emër të vetes dhe grupimit por jo në emër të Aleancës.

Aleancën nuk mund ta futësh në xhep e ta tundësh kudo ku shkon, sepse minimalisht është fyerje ndaj kontribuesve, zërave të dhjetëra qytetarëve aktivistë të angazhuar në këtë kauzë dhe mijëra qytetarëve që e kanë mbështetur atë në shesh ose në distancë.

Beteja është kundër pushtetit, por dhe kundër atyre që duan ta ngushtojnë përpjekjen e përbashkët qytetare në hullitë e hesapeve politike dhe qëllimeve individuale të paqarta. Partitizimi ka qenë fatal për Teatrin”, shkruhet në deklaratën e tyre.

Gjithashtu aktivistët shprehen se mos marrja në shqyrtim e vendimit për prishjen e godinës nga Gjykata Kushtetuese, e dalë nga Reforma në Drejtësi, tregon “Drejtësia nuk është imune ndaj ndikimit të politikës”.

Ndaj, ata kanë vendosur ta ndjekin çështjen në gjykatat penale dhe administrative të vendit. Madje, nëse do të jetë e nevojshme do t’i drejtohen gjykatave ndërkombëtare.

Kjo deklaratë vjen pasi zëdhënësi i BE-së Peter Stano i dënoi sulmet e fundit ndaj Ambasadorit Soreca dhe i quajti ato të përdorura politikisht.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>