Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut Natasha Kandiç i ka bërë thirrje presidentit Aleksandër Vuçiç t’i kërkojë falje publike familjeve të viktimave gjatë luftës së Kosovës.
Kandiç, njëkohësisht dhe drejtoreshaë e Fondit për të Drejtën Humanitare në Serbi, theksoi se pranimi publik i fajit nuk mund të bëhet në takime të mbyllura.
Duke folur në emisionin “Debat Plus” Kandiç u shpreh:
“Pranimi publik i fajit nënkupton që duhet t’iu drejtohesh familjarëve të viktimave. Kërkon falje publike dhe merr përgjegjësinë dhe kjo nuk bëhet në takim të mbyllur që më pas dikush nga pjesëmarrësit thotë se presidenti ka kërkuar falje.
Vuçiçi të mos mbajë një minutë heshtje e të mos bëjë nderime por të kërkojë falje publikisht dhe të merr përgjegjësi në cilësi të Presidentit të Shtetit.”
Ajo po ashtu bëri thirrje për zbardhjen e shkaqeve të vdekjeve të atyre viktimave që i është gjendur trupi. Ajo tha se në varrezën masive të Batajnicës, trupave nuk u është bërë autopsia për të konstatuar shkaqet e vdekjeve.
“Kjo ka qenë njëra nga mënyrat për të fshehur atë që kanë dëshmuar mbetjet mortore. Mbetjet mortore kanë treguar në fakt se vdekjet kanë qenë të dhunshme dhe se në shumicën e rasteve ato kanë ardhur si pasojë e të shtënave me armë zjarri nga afërsia,” deklaroi Kandiç.