Albana Vokshi: Vendimi i Gjykatës së Tiranës absurd

Albana Vokshi: Vendimi i Gjykatës së Tiranës absurd

Gjykata e Tiranës dënoi ish-deputeten e Partisë Demokratike Albana Vokshi për shpifje ndaj kryebashkiakut Veliaj. Ky fakt u bë i ditur nga vetë ish deputetja nëpërmjet një konference për shtyp.

Zonja Vokshi disa muaj më parë denoncoi kryebashkiakun Veliaj se ky i fundit po mblidhte të dhënat personale nga prindërit e fëmijëve nga kopshtet dhe çerdhet.

Sipas ish-deputetes Vokshi. gjyqtarja nuk bëri asnjë hetim lidhur me këtë çështje, duke dënuar në mënyrë të padrejtë:

“Pa bërë asnjë hetim për këtë, në shkelje të çdo procedure të drejtë dhe të paanshme, gjyqtarja Migena Laska nuk i ka dhënë të drejtë mijëra prindërve që shprehin shqetësim për marrjen e paligjshme nga Bashkia e Tiranës të të dhënave të tyre personale, por, në mënyrë të padrejtë, i është nënshtruar pushtetit të Erion Veliajt.

Është aq absurd ky vendim, saqë nga njëra anë më bën me faj pse kam denoncuar aktivitetin e paligjshëm të Erion Velisë, nga ana tjetër rrëzon kërkesën e tij që unë të bëj përgënjeshtrim.”

Zonja Vokshi paralajmëroi se PD disponon dokumente të tjera që vërtetojnë se kryebashkiaku Veliaj ka shkelur ligjin “Për të dhënat personale”.

“PD disponon dokumenta të tjerë zyrtarë që vërtetojnë se Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj vazhdon të shkelë ligjin duke mbledhur të dhënat personale të prindërve të fëmijëve, që regjistrohen në arsimin parashkollor. Për këtë jemi duke bërë gati denoncimin dhe padinë kundër Kryetarit të Bashkisë së Tiranës,” u shpreh ajo.

Në lidhje me vendimin e gjyqtares Laska, Vokshi tha se do të ndërmarrë çdo hap ligjor për ta zhbërë atë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>