Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB) denoncoi publikisht largimin nga puna të kryetarit të saj Elton Debreshi pak ditë pas themelimit të sindikatës. SMBB e ka quajtur të paligjshëm dhe të lidhur me angazhimin për të advokuar të drejtat e minatorëve.
SMBB reagoi me një postim në Facebook mbrëmjen e së premtes, ku tha se Zoti Debreshi ishte larguar nga kompania AlbChrome pasi ai qe zgjedhur kryetar i SMBB. Largimi është bërë për “thyerje disipline” masë e cila i qe dhënë disa muaj më parë.
“Një vendim i tillë vjen qartazi si pasojë e organizimit sindikal të ndërmarrë nga Eltoni dhe dhjetra minatorë të tjerë. Presion i qartë ndaj minatorëve të Bulqizës që të mos guxojnë të kërkojnë të drejtat e tyre. Kompania ka thirrur edhe disa themelues të tjerë të sindikatës për t’ju komunikuar masa disiplinore të pabaza si paralajmërim për shkarkim nga puna.”
SMBB thotë se do ta ndjekë ligjërisht këtë rast pasi Kushtetuta ua lejon të punësuarve të drejtën për t’iu bashkuar sindikatave për mbrojtjen e interesave të tyre të punës dhe Kodi i Punës ua ndalon punëdhënësve që të pengojnë formimin dhe funksionimin e sindikatave.
E pyetur nga BIRN, AlbChrome mohoi që shkarkimi apo thirrjet e punonjësve të tjerë për të shmangur shkeljet e etikës kishin të bënin me themelimin e sindikatës. Kompania pretendon se shkarkimi i Debreshit erdhi pas një paralajmërimi për largim nga puna që i ishte bërë në prill të këtij viti.
Kompania AlbChrome është kompania koncesionare e shfrytëzimit të kromit në minierat e Bulqizës. Kompania u ble nga Balfin Group në vitin 2013. Balfin drejtohet nga biznesmeni Samir Mane.
SMBB u themelua më 15 tetor si rezultat i mungesës së efektshmërisë së sindikatave të tjera. Themeluesit e saj kanë kërkuar paga dhe kushte më të mira dhe synimi kryesor i sindikatës është rritja e nivelit të përfaqësimit të punëtorëve në industrinë minerare të Bulqizës.
Janë rreth 110 kompani që shfrytëzojnë kromin në Bulqizë. Eksportet e kromit gjenerojnë deri në 100 milionë euro të ardhura në vit, por sidoqoftë prej vitesh punëtorët kanë ngritur shqetësime për nivelin e pagave dhe kushteve të vështira ku shpesh disa prej tyre kanë humbur edhe jetën.