Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i ka bërë thirrje votuesve në Shqipëri të mbështesin kandidatët e Vetëvendosjes në zgjedhjet e 25 prillit të cilët kandidojnë si të pavarur në Tiranë, Lezhë dhe Gjirokastër.
Kurti shkruan në Facebook se “figurat, praktikat dhe idetë e konsumuara për 30 vjet” nuk mund “të prodhojnë dot ndonjë gjë të re sot”.
Në një postim ditën e premte, Albin Kurti tregon historinë e njohjes me Iliaz Shehun që kandidon në Lezhë.
Sipas kryeministrit të Kosovës, Shehu është “njeriu i duhur për të çuar përpara një projekt të mirëfilltë modernizues dhe evropianizues”
Një ditë më parë kreu i VV-së, kërkoi që në Tiranë qytetarët të mbështesin Boiken Abazin të cilin e vlerëson si një përfaqësues të “një socialdemokracie të re për Shqipërinë – larg pazareve me monopolistët, kundër pabarazisë neoliberale, dhe solidar me qytetarët, aktivistët, punonjësit, të papunët e studentët”.