Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cilësoi marrëdhëniet me Shqipërinë si “esenciale” dhe se qeveria e tij kishte në plan të zbatonte gjithë marrëveshjet e lidhura mes dy vendeve, por që nuk kishin gjetur kurrë zbatim.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ai njoftoi se shtetasit shqiptar nuk do të kishin më nevojë për lejeqëndrimi në Kosovë.
“Ne kemi marrë vendimin si qeveri që për shtetasit e Shqipërisë të hiqet detyrimi për lejeqëndrim të përkohshëm, në mënyrë që ata të punësohen pa problem në Kosovë,” u shpreh Kurti.
Ai theksoi se bashkëpunimi mes vendeve në fushën e rendit kishte bërë të mundur të kapej “sasi rekord të narkotikëve të trafikuar”.
Kurti parashtroi edhe njëherë katër kushtet që qeveria e tij ka vendosur për arritjen e një marrëveshje në përfundim të dialogut me Serbinë.
Në radhë të parë, sipas Kurtit, marrëveshja përfundimtare me Serbinë, përveç njohjes së Kosovës, duhet të shoqërohet me anëtarësimin e vendit në OKB.
“Pra, një marrëveshje e cila ka vetëm njohjen nga Serbia, por që nuk pasohet nga ulësja në OKB, ose ofron ulëse në OKB si zëvendësim për njohje nga Serbia, mund të jetë marrëveshje, por nuk mund të jetë përfundimtare,” deklaroi Kurti.
Së dyti, marrëveshja duhet të ketë fuqinë e një traktati të detyrueshëm ndërkombëtar sipas përcaktimeve të Konventës të Vjenës.
Më tej, Kurti shpjegoi se qeveria e tij ishte ripozicionuar në raport me dialogun, duke e bërë të qartë se bisedimet nuk mund të jenë mbi statusin e Kosovës, por mbi raportet mes saj dhe Serbisë “që duhet të bazohet në barazi dhe reciprocitet, e tillë çfarë është edhe njohja e ndërsjelltë”.
Në fund, Kurti la të kuptohet se Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise, duke pranuar Paktin Ahtisari. Tashmë ajo nuk është më e gatshme të bëjë kompromise dhe pret që komuniteti ndërkombëtar ta njoh dhe ta pranojë si vend sovran në OKB.