Ish-deputeti demokrat Enkelejd Alibeaj përshëndeti opinionin e Komisionit të Venecias për Reformën Zgjedhore dhe tha se për të zgjidhur problemet e nxjerra nga KV, duhet dialog gjithëpalësh dhe transparencë.
Në një intervistë për ABCNews, Alibeaj tha se Venecia mendon se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë miratuar në mënyrë të nxituar, pa u konsultuar me palët, njësoj siç opozita ka pretenduar opozita gjithë këtë kohë:
“Venecia ka thënë që nuk mund të bëhen ndryshime në këtë kohë të shkurtër sepse këto që u bënë janë jashtë afateve normale sepse është ende e fortë ideja që Rama i cili i mori në mënyrë të njëanshme, mund të bëjë edhe ndryshime të tjera në ligjin zgjedhor.”
Alibeaj theksoi se opozita është e gatshme për dialog konstruktiv për të zgjidhur problemet me Kodin Zgjedhor:
“Është konstatuar që këto ndryshime kanë probleme dhe Venecia është shprehur se të gjitha këto problematike duhet të zgjidhen me një dialog transparent.
Ne do të mbajmë të njëjtën qasje, ne jemi për dialog dhe për të sqaruar edhe problemet që ka konstatuar Venecia.”
Exit News ka bërë këtu një përmbledhje të gjetjeve dhe rekomandimeve të Venecias për ndryshimet bërë në mënyrë të njëanshme nga shumica socialiste si pjesë e Reformës Zgjedhore.
Thënë shkurtimisht, Komisioni i Venecias mendon se ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë miratuar në mënyrë të nxituar, pa u konsultuar me palët dhe duhen vlerësuar nga gjykata Kushtetuese, nëse janë apo jo kushtetuese.