Ambasada Amerikane në Tiranë përshëndeti sot vendimin e opozitës për të marrë pjesë në diskutimet për reformën zgjedhore, organizuar nga misioni i OSBE-së dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore.
Në një deklarate për shtyp, Ambasada shkruan:
“Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e partive opozitare për të dërguar përfaqësues në konferencën për reformën zgjedhore.
Ne përshëndesim kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha që thirri një takim të opozitës dje. Përpjekjet e tij demonstrojnë udhëheqësi të vërtetë mbi një çështje thelbësore për forcimin e mëtejshëm të institucioneve demokratike të Shqipërisë.”
Opozita e bashkuar vendosi dje pro marrjes pjesë në konferencën që po zhvillohet sot. Opozita po përfaqësohet nga tre përfaqësues teknik: Ivi Kaso, Sekretari për Zgjedhet në Partinë Demokratike; Muharrem Caka, përfaqësuesi ligjor i LSI në KQZ dhe Arjan Madhi Nënkryetari i Partisë Republikane.
Të tre përfaqësuesit nuk do të përfaqësojnë partitë respektive, por qëndrimet e opozitës në tërësi. Ata do të prezantojnë para OSBE-së dhe Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore qëndrimin e opozitës.
Kjo tryezë është e para e organizuar nga OSBE dhe komisioni parlamentar për hartimin e një reforme zgjedhore, që ndër të tjera merr parasysh dhe rekomandimet OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet.
Në mbyllje të deklaratës, Ambasada Amerikane theksoi se mbështet ‘miratimin e reformave të nxitura nga ekspertët zgjedhore të OSBE/ODIHR në mënyrë që Shqipëria të mund të zhvillojë zgjedhje që janë të lira nga shtrëngimi, trysnia politike dhe blerja e votës.’