Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, është shprehur të enjten se e sheh të ardhmen e Kosovës në BE.
Ai ka thënë se ky rrugëtim kërkon ndërmarrjen e shumë reformave brenda vendit.
“E ardhmja e Kosovës është brenda Bashkimit Evropian dhe ky rrugëtim kërkon ndërmarrjen e shumë reformave brenda vendit”, ka thënë Rohde në tryezën “Raporti i BE-së për Kosovën 2020”, të organizuar nga Instituti EPIK.
Ai u shpreh se rëndësia e reformave qëndron në sigurimin e institucioneve demorkatike.
Kryetarja e Kuvendit Vjosja Osmani, deklaroi nga tryeza se sundimi i ligjit, arsimi dhe mjedisi janë prioritetet kyçe të procesit integrues të Kosovës.
“Raporti ka identifikuar shumë sfida të cilat institucionet tona duhet të adresojnë. Kuvendi tani më ka miratuar Planin e vet për Mbikëqyrjen e Procesit Integrues 2020-2021. Këto reforma duhet të bëjmë për qytetarët tonë, dhe jo për hirë të askujt”, ka pouhuar Osmani.
Ricardo Serri, zëvendës-shefi i BE-së, u shpreh se reformat që i duhen Kosovës nuk janë për Brukselin, por për qytetarët e Kosovës.
“Raporti konfirmon se ka një hendek të madh në mes Kosovës dhe BE-së. Për të mbështetur përpjekjet e Kosovës, por edhe të gjithë Ballkanit, këtë vit kemi lansuar një plan ambicioz ekonomik dhe investiv”, ka deklaruar Serri.