Kompanitë gjermane hezitojnë të investojnë në Shqipëri për shkak të moszbatimit të ligjit dhe mungesës së transparencës në vend, deklaroi ambasadori gjerman Peter Zingraf.
Ai komentoi të mërkurën gjetjet e studimit mbi klimën ekonomike në Shqipëri të kryer nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë në Shqipëri(DIHA).
Rezultatet e studimit u fokusuan gjatë periudhën së pandemisë, paraqitën një panoramë të klimës ekonomike në vend dhe parashikime për vitin e ardhshëm.
Në lidhje me efektet e ndihmës qeveritare në ekonomi, 38 përqind u përgjigjën se ishte e pamjaftushme, 40 përqind thanë se pak e mjaftueshme, 17 përqind thanë se ishte e mjaftueshme ndërsa 5 përqind shumë e mjaftueshme.
Ata i sugjeruan qeverisë të ulë taksat dhe detyrimet për pagën ndaj bizneseve, si mënyrë për të ndihmuar ekonominë.
Ambasadori Zingraf theksoi se “Gjermania në kohë krizash qëndron e vendosur në krah të Shqipërisë”.
“Ata pyesin, nëse do të mund të gjejnë këtu mjaftueshëm siguri ligjore dhe transparencë. Dhe unë jam dakord: Megjithë përpjekjet e shumta, ekziston nevoja që të ndërmerren hapa të mëtejshëm në mënyrë që klima e investimeve të përmirësohet dhe zhvillimi ekonomik i vendit të ecë përpara. Vendimtare këtu janë siguria ligjore dhe transparenca. Vijimi i reformës në drejtësi dhe asaj në administratë vazhdojnë të jenë me rëndësi thelbësore për demokracinë, ekonominë dhe integrimin evropian” pohoi ambasadori Zingraf.