Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca u shpreh se Konferenca Ndërqeveritare mund të mbahet në qershor. Ai u shpreh se Shqipëria duhet të vazhdojë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit:
“Ky është objektivi ynë, qershori është periudha për Konferencën e parë Ndërqeveritare. Eshtë e rëndësishme tani që ndërsa Shqipëria vazhdon të bëjë punën që është e nevojshme, edhe gjatë fushatës elektorale, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, vazhdimit të ndërtimit të gjyqësorit, Shtetet Anëtare e shohin këtë angazhim të vazhdueshëm dhe prandaj do të duhet të vendosin dhe shpresojmë që vendimi për qershorin të jetë pozitiv”, në një intervistë për News24.
Soreca i bëri thirrje partive politike të zgjedhin kandidatë për deputet me integritet:
“Ligji i dekriminalizimit duhet të zbatohet plotësisht, Pse? Sepse jemi në pikën e nisjes së negociatave dhe parlamenti i ri duhet t’u nënshtrohet reformave në fusha të tilla si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsioni, dhe për ta bërë këtë duhet të keni standarde të larta integriteti të anëtarëve të parlamentit. E hëna është afati për prezantimin e kandidaturave. Presim me padurim të shohim listën dhe ne sigurisht do të bëjmë vlerësimin tonë.”
Ambasadori tregoi se “80% e shqiptarëve, sipas sondazhit të fundit të Delegacionit tonë, janë në favor të reformës në drejtësi.”
“Shpresa ime sinqertë është që reforma në drejtësi nuk do të preket nga fushata zgjedhore. Sepse për shqiptarët ajo nuk është një çështje ndarëse”, shtoi Soreca.