Pak ditë më parë, Komiteti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Dhomës së Lordëve në Mbretërinë e Bashkuar organizoi një takim rreth temës “Përtej Brexit: Mbretëria e Bashkuar dhe Ballkani”. Një nga njerëzit e ftuar për të diskutuar ishte ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar Zoti Qirjako Qirko .
Gjatë diskutimit me Lordët britanikë, Ambasadori Qirko preku edhe çështjen e mprehtë të emigrimit nga Shqipëria:
“Ka një problem. Edhe nga vendet tona në Ballkanin Perëndimor ka imigrim ilegal, njerëz që përpiqen të hyjnë në Britani të Madhe. Natyrisht kjo është diçka që ne po marrim të gjitha masat për të ndaluar. Nuk dua të hyj në detaje. Por është një problem për qeverinë tonë [shqiptare], […] përpjekja për të kontrolluar këtë fluks të emigracionit të paligjshëm.
Në fund, arsyeja është e njëjtë, pse gjermanët dëshirojnë të vijnë, pse francezët do të donin të vinin në Britani, […] por [shqiptarët] duke mos qenë anëtare të BE-së, emigrojnë ilegalisht. Qeveria ime po përpiqet të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm për të kontrolluar këtë fluks të imigracionit të paligjshëm.”
Ambasadori Qirko merr këtu një qëndrim shumë të ndryshëm nga kryeministri Edi Rama, i cili kohët e fundit deklaroi se “askush nuk po numëron”, duke injoruar, ndryshe nga përfaqësuesi i tij në Mbretërinë e Bashkuar, ndryshimi thelbësor që Shqipëria nuk është anëtare e BE-së:
“… të kërkosh një jetë më të mirë dhe një punë jashtë vendit është gjëja më normale në botë. Kjo ndodh në çdo vend të botës dhe do të vazhdojë të ndodhë. Problemi është se ne nuk jemi pjesë e tregut të lirë, të forcave të punës. Askush nuk mban shënim kur polakët lëvizin, ose çekët, apo hungarezë, me miliona e miliona për të punuar në vendet e Bashkimit Evropian ose në vendet perëndimore. […] Askush nuk I vëzhgon, sepse është forca e punës që po lëviz.”
I pyetur më tepër për emigrimin e shqiptarëve të arsimuar, të tillë si mjekët, drejt Evropës Perëndimore, ambasadori Qirko tha se kjo nuk është bërë ende problem, por që brenda këtij katër vjeçari së qeverisë së tanishme do të fillojë të ndihet mungesa e mjekëve dhe infermierëve:
“Për momentin Shqipëria nuk ndjen këtë problem. Ne mund të përballojmë këtë boshllëk në 2-3 vjet. Duke iu referuar mjekësisë, Gjermania u ofron mundësi infermierëve dhe mjekëve. Në Shqipëri ne kemi një shkollë shumë të mirë mjekësore, dhe disa mjekë, vitin e kaluar rreth 100, kanë aplikuar dhe kanë fituar mundësinë për të punuar në Gjermani. Nëse ky trend do të vazhdojë kështu, ne do ta ndiejmë këtë boshllëk tek mjekët dhe infermieret.”
Çdo vit, mjekët dhe infermierët me rezultatet më të larta mund të aplikojnë për një pozitë pune në Gjermani, e cila po përballet me një popullsi të plakur. Kjo është, megjithatë, hera e parë që një zyrtar publik shqiptar pranon se emigrimi i vazhdueshëm i personelit mjekësor të aftë do të ketë një ndikim negativ në sistemin shëndetësor shqiptar.