Ambasadorja amerikane Yuri Kim iu është përgjigjur të enjten deklaratave se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale.
Ajo tha për Euronews se, Gjykata Kushtetuese është funksionale edhe me 6 anëtarë, ndërkohë po punohet që të jetë “e përsosur” me 9 anëtarë.
Deklaratat se Gjykata Kushtetuese nuk është funksionale ajo i cilësoi si teori konspirative. Kim bëri thirrje që të mos besohen këto deklarata.
“Duhen gjashtë për të pasur kuorum, pra është funksionale. A është e përsosur tani? Jo, na duhen edhe tre më shumë, kështu që siç thashë. Do të vazhdojmë të punojmë me këtë. Por, do t’u kërkoja njerëzve të qëndronin të fokusuar dhe të vendosur, të punojnë fort dhe të vazhdojnë të kenë shpresë. Mos u shpërqendroni nga propaganda dhe teoritë e çmendura konspirative. Fokusohuni tek faktet”, deklaroi në Euronews ambasadorja Kim.
Më herët Kim kishte thënë se Gjykata do të ishte funksionale deri më 31 dhjetor. Të enjten ajo tha se shumë njerëz nuk e kishin besuar këtë.
“Shumë njerëz kanë thënë se nuk do ta arrinim kuorumin, se nuk do ta arrinim funksionimin deri më 31 dhjetor. Ekspertët tanë panë të gjithë faktet dhe dolëm në konkluzion se mund të bëhej, kështu që shtyme fort dhe mendoj se me bashkëpunimin e fortë të Presidencës, parlamentit dhe Këshillit të Emërimeve në Drejtësi e arritëm atë qëllim”, tha Kim.
Sipas ambasadores puna me Gjykatën Kushtetuese nuk ka përfunduar me këtë hap. Ajo tha se Gjykata tani mund të marrë çështje në shqyrtim, por vitin tjetër do punohet për plotësimin e tre vendeve të tjera.
“Kjo nuk do të thotë se puna ka mbaruar, por që kemi bërë një hap gjigant dhe të rëndësishëm drejt arritjes përfundimtare. Tanimë ajo që do të ndodhë është se Gjykata do të mund të marrë në shqyrtim çështje, të vendosë për to nëse janë dakord pesë anëtarë, por kur të vijë viti i ri, ose mbase edhe para se të mbarojë ky i vjetri, do të vazhdojmë të nxisim që të gjitha nëntë vendet të mund të mbushen,” shtoi Kim.
Kim njoftoi se projekti i ardhshëm, për të cilin do të punohet është Gjykata e Lartë.
Sot me 24 dhjetor u betua para Presidentit anëtari i gjashtë i Gjykatës Kushtetuese, Përparim Kalo.
Presidenti Ilir Meta dekretoi Kalon si anëtar të Gjykatës Kushtetuese të mërkurën.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i dërgoi presidentit listën me dy kandidatë për njërën nga vakancat që ishte shpallur nga ai. Exit News argumentoi në një shkrim se ky veprim i KED është në shkelje të ligjit.
Kandidatë për ishin Përparim Kalo dhe Aleksandër Toma.
Përparim Kalo është jurist. Që prej vitit 1994 ka punuar pranës zyrës së tij të avokatisë.
Prej mesit të vitit 2018, Gjykata Kushtetuese nuk ka funksionuar në Shqipëri për shkak të nisjes së procesit të vetingut.
Gjykata Kushtetuese ka 9 anëtarë dhe ligji parashikon që vendimet të merren me shumicën e të gjithë anëtarëve.
Pra që një vendim të miratohet kërkohen minimumi 5 vota pro. Në kushtet aktuale, kjo do të thotë se 6 anëtarët e emëruar duhet të jenë unanim pro ose vetëm një kundër, marrjes së një vendimi.