Gjykata e Krimeve të Rënda ka shtyrë seancën për grupin e “Habilajve” sepse nuk ka arritur dot të lajmëroi dy anëtarët e kësaj bande, Sabaudin Celaj dhe Nazer Seiti, të cilët ndodhen në Itali të dënuar me arrest shtëpie. Gjykata lajmëroi se Celaj dhe Seiti nuk janë gjendur në shtëpi në Itali. Kjo do të thotë se ato të dy janë arratisur dhe gjyqi ndaj Habilajve ka dështuar.
Sabaudin Celaj është anëtarë i bandës së Habilajve. Sipas përgjimeve të prokurorisë italiane Celaj flet me Moisi Habilajn, për blerjen e bizhuterive për bashkëshorten e Saimir Tahirit. Ai u arrestua në Itali në nëntor 2016 dhe u dënua në shtator të 2018 me arrest shtëpie.
Nazer Seiti, financier i bandës së Habilajve, u arrestua më 19 tetor gjatë aksionit të policisë në Babicë të Vlorës, ku u kapën 4,5 tonë kanabis. Nazer Seiti pranoi lidhjet me vëllezërit Habilaj, vetëm ato familjare, dhe nuk pranoi të flasë për akuzat për bashkëpunim në trafikimin e lëndëve narkotike.
Nga hetimet e prokurorisë shqiptare dhe asaj italiane, janë bërë publike disa përgjime ku Seiti flet me Moisi Habilajn për të liruar nga burgu një të dënuar me nofkën “Maloku” në këmbim të 200 mijë eurove. Po nga përgjimet është zbuluar se Seiti blinte gomonet për transportin e drogës dhe kujdesej për “financat” e bandës.
Megjithëse nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe nën masën e sigurisë “arrest me burg” në Shqipëri, Nezar Seiti u ekstradua në Itali më 25 janar 2018, në shkelje të ligjit.
Celaj dhe Seiti janë dy dëshmitarë, të cilët mund të tregojnë se si ish- ministrit të Brendshëm Tahiri ndihmoi në lehtësimin e trafikimit të drogës për bandën e Habiljave, në këmbim të parave dhe dhurata të shtrenjta.