“Ky mandat është i fundit për mua si kancelare. Nuk do të kandidoj për asnjë post politik pasi të mbarojë ky mandat në vitin 2021.”
Kështu deklaroi sot Kancelarja gjermane Angela Merkel duke lajmëruar fillimin e mbarimit të karrierës së saj politike, një ditë pas humbjes së mijëra votave në zgjedhjet parlamentare të së dielës në landin e Hessenit, ku koalicioni qeveritar shënoi rezulatet më të ulëta që prej vitit 1966.
Partia kristiandemokrate (CDU) e kancelares Angela Merkel ka fituar numrin më të madh të votave në landin Hessen në zgjedhjet parlamentare, por njëkohësisht shënoi dhe rezultatin më të ulët në këtë land që prej vitit 1966. CDU mori 27,4 për qind të votave, 11 pikë përqindje më pak se zgjedhjet e mëparshme.
Dhe partia tjetër e koalicionit qeverisës, SPD mori një goditje në Hessen, duke fituar 19,6 për qind të votave, sërish 11 pikë përqindje më pak se në zgjedhjet e mëparshme.
Në vend të tretë, u rendit partia e gjelbër me 19,5 për qind të votave, ose 8,4 pikë përqind më shumë se katër vite më parë.
Ndërkohë, ndër partitë fituese është dhe partia populiste Alternativa për Gjermani (AfD), e cila ka fituar 13% të votave.
Këto rezultate tregojnë qartë zemërimin e qytetarëve gjermanë, edhe të një landi me ekonomi të fortë si Hesseni, me qeverisje federale të koalicionit CDU/CSU dhe SPD.
“Mesazhi për partitë që qeverisin në Berlin është se njerëzit duan më pak mosmarrëveshje dhe më shumë vëmendje në çështjet e rëndësishme”, deklaroi kryeministri i shtetit të Hessenit dhe anëtar i CDU Volker Bouffier.