Politikani gjerman që vizitoi çadrën e PD-së zgjidhet Nr. 2 i CDU-së në Gjermani

Politikani gjerman që vizitoi çadrën e PD-së zgjidhet Nr. 2 i CDU-së në Gjermani

Annegret Kramp-Karrenbauer zëvendëson Angela Merkelin si drejtuese e partisë Unioni Kristian-Demokratik. Paul Ziemiak zgjidhet Sekretar i Përgjithshëm. Delegatët e Kongresit të Unionit Kristian-Demokratik (CDU) zgjodhën dje zonjën Annegret Kramp-Karrenbauer si kryetare të re të partisë së qendrës së djathtë.

Zgjedhjet u zhvilluan pak javë pasi Kancelarja Merkel njoftoi tërheqjen e saj nga kryesimi i partisë pas 18 vitesh udhëheqje. Kongresi e përshëndeti punën e Merkelit me 9 minuta duartrokitje. Merkeli ka shprehur gatishmërinë e saj për të vazhduar punën si kancelare deri në fund të mandatit të saj të katërt në vitin 2021.

Kryetarja e re e CDU-së, Annegret Kramp-Karrenbauer, fitoi zgjedhjet me një platformë të mbështetur kryesisht tek vazhdimësia e trashëgimisë së Merkelit. Kandidatura e saj fitoi ndaj asaj të zotit Friedrich Merz, platforma e të cilit ishtë ngritur në kundërshti me disa politika të Merkelit.

Në vijim të zgjedhjeve për kryetarin e ri, sot Kongresi i CDU-së zgjodhi sot edhe Sekretarin e Përgjithshëm të CDU-së. Posti iu besua zotit Paul Ziemiak, i cili ka drejtuar Unionin e të Rinjve të CDU-së. 33-vjeçari Ziemiak shihet si një prurje me energji të reja politike për të djathtën në Gjermani.

Në fjalën e shkurtër pas zgjedhjes, Ziemiak foli për përkushtimin e tij në vazhdimësi ndaj vlerave tradicionale konservatore brenda partisë. “Ne duhet të jemi partia për shtetin e së drejtës”, theksoi Ziemiak ndër të tjera.

Paul Ziemiak ishte një mbështetës i zëshëm i protestës së opozitës shqiptare në vitin 2017. Ai vizitoi personalisht çadrën e ngritur para Kryeministrisë dhe u foli në mënyrë të drejtpërdrejtë protestuesve dhe qeverisë, duke e vënë theksin tek rëndësia që kanë zgjedhjet e lira dhe lufta ndaj korrupsionit në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Në 1989, muri i Berlinit u rrëzua dhe Evropa Lindore u çlirua, ndërsa tani ne përballemi me sfida të reja, veçanërisht në Shqipëri, dhe tani është momenti juaj, është koha juaj që ju të merrni në dorë të ardhmen e vendit tuaj. Dhe ju duhet të bëni pyetje vetes, familjes tuaj; çfarë lloj të ardhmeje doni të keni për Shqipërinë? A doni një Shqipëri ku kriminelët të kenë më shumë të drejta se sa njerëzit e thjeshtë? Apo doni një vend ku sundon ligji dhe mbështeten njerëzit e thjeshtë dhe punëtorë dhe ku të gjithë të kenë shanse të barabarta, pavarësisht se kush je. Të tërë mund të jetojnë në liri, pa korrupsion. Në qoftë se doni të jetoni në një vend ku secili të marrë atë që do, duhet të votoni Lulzim Bashën. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Ka ardhur momenti që ju mund të ndryshoni diçka. Ky është momenti juaj.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>