Ndonjë ditë Edi Rama do të studiohet në universitete. Si një politikbërës me një formim jashtë tempit krahasuar me çfarë mbizotëron në qendrat më të mira akademike dhe me prirje për të ngrirë tranzicionin, që e gjeti veten, thuajse pa kokëçarje, përballë politikës reale.
Rama nuk merr formën e politikës reale, por bën që politika të marrë formën e tij. Kështu, ai i përgjigjet njësoj si pyetjeve mbi kritikën e politikëbërjes së shkuar të Shqipërisë, ashtu edhe atyre që kanë të bëjnë me planet hidrologjike, mekanizmat për stabilizimin e ekonomisë, investimeve në infrastrukturë apo, së fundi, reformën në drejtësi. Pra, me të njëjtin dell poetiko-populist.
Në këto kushte, Rama është kthyer në të parapëlqyerin e përfaqësuesve ndërkombëtarë në Tiranë. Mjalti i fjalimeve të tij ka joshur kryesisht ambasadorët e BE-së dhe SHBA-së, të cilët e morën gati-gati si sfidë prindërore, por edhe karrieristike, miratimin e reformës në drejtësi përpara përfundimit të sezonit parlamentar.
Por, në të njëjtën kohë, kryeministri është shndërruar në preh të lehtë për publikun e gjerë. Ky i fundit duket gjithmonë e më pak i gatshëm të bëjë paqe me prurjen pa përmbajtje të fjalëve dhe gjesteve të tij; që ngjasojnë përherë e më pak me ato të një burri shteti.
Karrocën e (anti)reformës në drejtësi e drejtoi Rama, Meta ishte kapur nga mbrapa, ndërsa Basha po përpiqej të fitonte kohë deri sa të mund të përfundonte karrocën e tij.
Megjithatë, duhet thënë se jo e gjithë merita e teatrit që po na u servir këto ditë ishte e Ramës. Një rol të rëndësishëm në këtë mes ka luajtur edhe ulja e ndikimit të ambasadave të huaja në politikëbërjen e brendshme shqiptare. Këto të fundit, në tentativë për të ruajtur pozitat e tyre strategjike, nuk luajtën më shah zyrave, por dyerve të institucioneve shqiptare.
Pasi panë se asnjë prej tre palëve politike kryesore në vend nuk kishte qëllime reale për miratimin e reformës në drejtësi, qepën aty-për-aty një propozim që t’i rrinte pak-a-shumë për shtat të gjithëve, por fiks vetëm BE-së dhe SHBA-së. Vetëm e vetëm që mos të këputej kordoni i kërthizës që lidh vendimmarrjen e shtetit shqiptar me zyrat e përfaqësive diplomatike.
Por, përse ka ardhur kjo ulje e ndikimit ndërkombëtar në politikëbërjen shqiptare? Ku e gjejnë, më në fund, guximin politikanët tanë që të kundërshtojnë thirrjet publike të përfaqësuesve të BE-së dhe SHBA-së?
Ndoshta përpara se të marrim përgjigje për pyetjet e mësipërme duhet të zbulojmë nëse qëndrimi i Partisë Demokratike, gjatë gjithë këtij procesi, ishte një improvizim delirant apo një plan i paramenduar mirë.
Zakoni shqiptar e do që këto pyetje mos të zbardhen deri pas 15 vitesh. Deri atëherë, ndoshta, do të kemi kuptuar edhe absurditetin e fokusimit kaq energjik në reformën në drejtësi, në një kohë kur ekonomia e vendit po shkërmoqet dita-ditës dhe qytetarët nuk mund të arrijnë në fund të muajit me vetting-un dhe nenin 88.
Mesazhet me dy kuptime të lëshuara këto ditë dhe ngathtësia politike e kanë ulur cilësinë e demokracisë. Degradimi dhe shpërdorimi i institucioneve shtetërore në emër të konsensusit ka monopolizuar politikën në dorën e tre, katër apo pesë vetave që, prej disa ditësh, morën përsipër të luajnë Zotërish.
Shqiptarët po e humbasin dita-ditës besimin te reforma në drejtësi, në veçanti, dhe të politika, në përgjithësi. Janë lodhur me politikanë të cilët, me kalimin e viteve, e vetmja gjë që kanë ndryshuar është aftësia për të folur më bukur. Janë lodhur edhe me ambasadorë që, pavarësisht se nuk janë votuar kurrë nga elektorati shqiptar për të marrë vendime në emrin e tij, luajnë llasticash me fatin e vendit.
Me reformën në drejtësi nuk vjen rigjenerimi. As katarsis. Madje, nuk vjen as ndonjë mundësi e re për t’i bërë gjërat më mirë.
Arritur në këtë pikë, me këtë mënyrë që është ndjekur, edhe pse u miratua, reforma në drejtësi do të jetë thjesht një ligj më tepër në fletoret zyrtare të mbuluara nga pluhuri.