Botimi i rishikuar i librit Kulla e Sahatit të Ardian Vehbiut iu paraqit të enjten, më 15 nëntor, një audience studentësh dhe mësimdhënësish të Fakultetit të Arkitekturës dhe Urbanistikës të Universitetit Politeknik të Tiranës. Nën moderimin e Elsa Demos, autori Ardian Vehbiu dhe profesori Armand Vokshi ndanë me audiencën mendimet e tyre rreth tematikës së librit, të cilat prekën historinë, ideologjinë, identitetin, dhe përjetimet e të pranishmëve të (krye)qytetit të Tiranës nga këndvështrimi i semiotikës dhe urbanistikës.
Në përshkrimin e Elsa Demos, autori e lexon arkitekturën si shenjë, dhe në këtë kontekst e vendos Kullën e Sahatit si narrator – si zërin që përcakton pikën e vështrimit të qytetit dhe rrëfen shenjat në ndryshim të vazhdueshëm të objekteve përreth. Përmes kullës, qyteti i Vehbiut paraqitet në dimensionet e tij të urbanistikes, sociales, politikes, madje deri edhe të erotikes.
Autori Ardian Vehbiu u shpreh se fakti që kulla i ka rezistuar kohës, ndërkohë që thuajse gjithçka përreth ka pësuar ndryshime të vazhdueshme, tregon se ky monument ka fituar vetëdije dhe dinjitet. Kulla ka mbetur një dëshmitare e ndryshimeve në shesh – një kondesator i mbushur me kuptime të këtyre ndryshimeve.
Në përgjigje të vërejtjes së Demos se sheshi ndanë Kullës së Sahatit ka shtruar gjithnjë pyetjen se ç’mund të bëjë vallë shteti për administrimin e boshit të tij, Vehbiu u ndal tek tensioni qytet/kryeqytet që sheshi ka ndryrë në vete në kohë. Ndërkohë që fillimisht sheshi ka qenë konceptuar në suazën e qytetit që zgjerohej rreth pazarit, regjimi komunist e shndërroi sheshin sipas shëmbëlltyrës së tij për shtetin si fortesë, ku zhvilloheshin parada, spartakiada etj. Për autorin, edhe sot sheshi mbetet pezull midis tregut dhe garnizonit.
Në ndërhyrjen e tij, profesor Vokshi vuri në gjenezë të Tiranës moderne Xhaminë e Et’hem Beut dhe Kullën e Sahatit. Ai theksoi faktin kurioz se vargu i ndërtesave të ministrive ishte disenjuar në të njëjtën lartësi me kupolën e xhamisë, çka ndër të tjera tregon përkujdesjen në detaje të arkitektëve italianë.
Elsa Demo tërhoqi vëmendjen e të pranishmëve tek imponimi i simboleve të pushtetit përmes hapësirave publike, në një përpjekje edhe për ta sjellë bisedën tek aktualiteti – heqja e monumentit të Shqiponjës në hyrje të Tiranës, që shënonte 100-vjetorin e pavarësisë së vendit. Vehbiu shpjegoi përdorimin e hapësirave nga regjimi komunist, dhe u ndal tek bulevardi i ri i Tiranës, të cilin e konsideroi një bulevard pa qytet, apo edhe një mega-instalacion që nuk është çudi që herëdokur ta çojnë edhe në ndonjë biennale. Sipas Demos, ky përshkrim i Vehbiut binte ndesh me fjalët e përsëritura papra nga Kryebashkiaku Veliaj për zhvillimin e madh që ka ndodhur në zgjatimin e bulevardit. Ndërsa për Vokshin prishja e pazarit të Tiranës dhe vendosja aty e Pallatit të Kulturës ishte veprimi i parë i regjimit komunist për të shkatërruar sitemin ekzistues dhe për të imponuar simbolet e tij.
Më tej paneli diskutoi për rizgjimin që urbanistika mund t’i japë një qyteti gjatë natës. Ata kujtuan ndryshimin e madh që solli elektrifikimi i Tiranës, por edhe faktin që në kohë krizash, sidomos në vitet ’80, Tirana nuk rizgjohej natën si qytetet e tjera të botës, pasi nuk kishte mjaftueshëm energji elektrike.
Më tej Vokshi shtroi pyetjen se si mund të qepen vallë copat e sheshit kryesor në Tiranë, ndërkohë që duke nisur nga vitet ’20 qendra ka qenë nën transformime të vazhdueshme nga pushteti i radhës. Në këtë pikë Vehbiu vërejti se Tirana, po sidomos qendra, është një palimpsest në duart e pushtetit, ku secili kërkon të lerë shenjën e vet. Ndërkohë që kryeqyteti, në fakt, ka nevojë të jetë policentrik, pushtetarët vazhdojnë të tregojnë shenja skizofrenie, duke kruajtur të fiksuar të njëjtin nishan, gjersa të ketë shpërthyer në gjak.
Demo solli në vëmendje kokëfortësinë e qeverisë dhe bashkisë për prishjen e teatrit, duke e vënë këtë përballë sentimenteve të shumë qytetarëve për humbjen e shumëçkaje me të cilën ata idenfikohen. Vehbiu shprehu qëndrimin e tij kundër prishjes së teatrit, dhe theksoi se vendeve kuptimin ia japin njerëzit. Në shoqëritë demokratike vende të shtrenjta për njerëzit trajtohen me kujdes dhe duke marrë parasysh sentimentet. Ai tha se teatri ka vlerë përtej arkitekturës së tij, pasi Tirana aty ka riprodhuar identitetin e saj kulturor dhe shoqëror. Sipas Vehbiut, kjo është e mjaftueshme për ta mbrojtur teatrin. Në këtë pikë, Vokshi vërejti se shtresëzimi i qytetarëve në Tiranë nga shumë anë të Shqipërisë e ka zbehur reagimin ndaj ndërhyrjeve si kjo e teatrit. Në dukje, Demo e kundërshtoi këtë, duke sjellë përvojën e saj me Tiranën, dhe duke përfunduar se gjithkush ka tekstin e vet të leximit të qytetit, por se pa njohje nuk mund të ketë vetëdije.
Bashkëbiseduesit qenë në një mendje se, ndërkohë që ka një vëmendje të përqendrur tek teatri, në zona si Rruga e Dibrës, Kont Urani, tek Radio Tirana etj, po bëhet kërdia, me vila të vjetra që rrëzohen një nga një, për t’i lenë vendin ndërtimeve monstruoze.
Vehbiu përfundoi se, në kontekstin e ruajtjes së kujtesës, një rol të madh mund të luajë edhe letërsia. Ai u shpreh se letërsia të mëson ta jetosh qytetin në një mënyrë që nuk e ke përjetuar. Vehbiu shpreson se, ndër të tjera, efekti i librit të tij tek një pjesë e lexuesve do të jetë pikërisht zgjimi i kujtimeve të narkotizuara.
“Kulla e Sahatit” është ribotuar nga Botimet Çabej. Ditën e shtunë, më 17 nëntor, 17.00 – 19.30, Ardian Vehbiu do të jetë në stendën e Botimeve Çabej në Panairin e Librit “Tirana 2018” për të biseduar me lexuesit.