Arkitektët shqiptarë prodhojnë maska me printerë 3D, 1000 maskat e para në proces

Nga Exit News
Arkitektët shqiptarë prodhojnë maska me printerë 3D, 1000 maskat e para në proces

Një grup arkitektësh në Shqipëri e Kosovë po ndihmojnë mjekët në luftën kundër koronavirusit duke riprodhuar me printerë 3D maska mbrojtëse me kosto 1,5 euro copa.

Nisma vullnetare e quajtur “Face Shield Mask” në Kosovë drejtohet nga profesori i inxhinierisë Shaban Buza dhe në Tiranë nga vajza e tij Dea, e cila është arkitekte.

Maska ka një rreth plastik në të cilën i bashkohet një fletë plastike e tejdukshme. Kjo garanton më tepër siguri për mjekët që u shërbejnë pacientëve me infeksionin e Covid-19.

Për shkak të punës mjekët janë më të rreizkuarit nga infektimi me koronavirus pasi janë në kontakt të vazhdueshëm me pacientët.

Aktualisht rreth 10 mjekë në Shqipëri, – prej të cilëve edhe drejtori i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj – janë infektuar ndërsa dhjetëra të tjerë janë detyruar të vetëizolohen.

Maska mbrojtëse mund të minimizojë kontaktet dhe të ulë ndjeshëm mundësinë e infektimit.

Modeli i propozuar nga grupi i arkitektëve, riprodhohet me printer 3D bazuar në një projekt të siguruar nga bashkëpunimi i profesor Buzës me Universitetin e Transilvanisë në Rumani dhe Universitetit Politeknik të Valencias në Spanjë.

Në Shqipëri nisma është mbështetur nga një grup arkitektësh të rinj si Albano Guma, Dardan Vukaj e Gerti Struga, të cilët me studiot e tyre Lumina Architecture, Extrude It dhe 3B Army kanë nisur të prodhojnë dhjetëra maska.

Dea Buza, e cila po koordinon punën në Shqipëri, ka lidhur kontakt me Dr. Arben Gjatën, rektor i Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, i cili i ka bërë me dije se Qendra Spitalore Universitare e Tiranës (QSUT) ka nevojë për së paku 500 maska të tilla.

Njësoj përmes kontakteve me autoritetet shëndetësore 200 maska të tjera nevojiten në Spitalin e Shkodrës.

Për të krijuar mesatarisht 25 maska një printer 3D kërkon 1 kilogram filament që kushton rreth 20 euro.

Aktualisht janë riprodhuar dhe dorëzuar 100 maska, të cilat do t’i shpërndahen fillimisht QSUT-së, qëllimi është që brenda muajit prill të krijohen të paktën 1000 maska.

Nisma është vullnetare e jofitimprurëse dhe për këtë të rinjtë kanë bërë thirrje që gjithkush që ka mundësi të vërë në punë printerë 3D, apo të mbulojë koston e materialeve të para t’i bashkohet grupit, ose të kontribuojë në mbledhjen e fondeve (kliko këtu për të kontribuuar).

Për më tepër ata kanë krijuar një grup në Facebook (kliko këtu për t’iu bashkuar grupit).

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>