Arkitekti i këndit të lojrave “jeton” me paratë tona publike

Arkitekti i këndit të lojrave “jeton” me paratë tona publike

Arkitekti Peter Wilson, i firmës Bolles+Wilson, i cili ka projektuar këndin e lojrave të Parkut të Liqenit, praktikisht “jeton” me projektet e qeverisë shqiptare.

Ardhja në pushtet e Kryeministrit Rama duket se i ka siguruar kontrata të shumta firmës së tij. Të dhënat publike të vetë firmës, dëshmojnë se, gjatë dy viteve të fundit, pothuajse të gjitha projektet e saj kanë qenë projekte të qeverisë shqiptare.

Vetëm në vitin 2015, firma ka përfituar kontrata me vlerë rreth gjysëm milionë dollarë nga qeveria shqiptare.

Në shumicën e rasteve, Bolles+Wilson është kontraktuar në konsorcium me firmën Atelier 4—firmë e njohur për lidhjet e ngushta me Kryeministrin Rama që nga koha kur ai ishte Kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Lista e projekteve kryesore të firmës gjatë vitit 2014-2015 përfshin:

  • Stadiumin Loro Boriçi në Shkodër
  • Kullën në qendër të qytetit të Korçës
  • Planin rregullues të qytetit të Korçës
  • Katër sheshe publike në qytetin e Korcës
  • Mastër planin e Parkut Rinia, Korçë
  • Qendër sportive stërvitore kombëtare, Korçë
  • Planin rregullues të qytetit të Pogradecit
  • Mastër planin e Parkut të Liqenit, Tiranë
  • Pesë projekte pilote në Parkun e Liqenit, Tiranë

Bolles+Wilson është, gjithashtu, firma projektuese e godinës 13 katëshe, që ka filluar të ndërtohet në hyrje të parkut të liqenit, përballë Fakultetit Ekonomik, në Tiranë. Leja shumë e debatuar për këtë ndërtim u dha nga zotërinjtë Rama dhe Veliaj, në shtator 2015, menjëherë pas zgjedhjes së Zotit Veliaj në krye të Bashkisë Tiranë. Zoti Veliaj kishte premtuar në fushatë se nuk do të kishte ndërtime në atë zonë.

Është interesant fakti që në këtë projekt arkitekti Wilson nuk ka respektuar asnjë kriter urbanistik, duke zaptuar me ndërtim 100 për qind hapësirën në hyrjen e parkut, pa lënë asnjë cm katror hapësirë të gjelbër anash ndërtimit.

Lidhja e Bolles+Wilson me Zotin Rama duket se është e hershme. Bolles+Wilson ka kontribuar në dizenjimin e lyerjes së fasadave të pallateve në kohën kur Rama ishte kryebashkiak. Kjo firmë ka krijuar, në vitin 2004, dizenjimin e motivit të lyerjes së pallatit me kuadrate vishnje e të bardha në kryqëzimin kryesor të bllokut, godina ish-Manhatanit (në foton më sipër).

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>