Deputeti socialist Armando Prenga ka dorëzuar mandatin. Me anë të një letre drejtuar kreut të Kuvendit Meta, ai heq dorë nga mandati dhe shpjegon arsyet e këtij vendimi.
“Për qetësinë time dhe të familjes sime heq dorë, sot dhe gjithmonë, nga mandati që zgjedhësit e mi dhe Kushtetuta më kanë ngarkuar”, shkruan ndër të tjera Armando Prenga në letër. Ai i cilëson shpifje të ulta akuzat politike të opozitës.
Mandati i Prengës u kthye në një çështje debati dhe replikash mes organit të akuzës dhe Komisionit Qendror Zgjedhor.
Prokuroria më datë 15 shkurt i kishte kërkuar KQZ-së heqjen e mandatit të Armando Prengës. Kjo pasi, ai nuk kishte deklaruar në formularin e dekriminalizimit një dënim të Gjykatës së Kurbinit që e dënonte për falsifikim dokumentash. Edhe pas kësaj kërkese KQZ nuk mori vendim në mbledhjen e fundit. Ky institucion i kërkoi informacione shtesë Prokurorisë.
Prokuroria nisi hetim penal ndaj KQZ-së duke e akuzuar se nuk kishte përmbushur ligjin e dekriminalizimit. Sipas prokurorisë, në formularin e Prengës nuk specifikohej nëse ai ishte dënuar apo jo ndonjëherë nga gjykata. Një tjetër akuzë që iu ngrit KQZ-së është dhe pranimi përtej afateve të deklaruara të formularëve të zyrtarëve të ndryshëm.
Po ashtu, për Armando Prengën ka disa vendime gjyqësore për akuza të ndryshme. Prokuroria ka vërtetuar se Zoti Prenga ka përdorur rreth 10 emra të ndryshëm gjatë kohës që ka qendruar jashtë vendit.
Armando Prenga ishte një prej deputetëve më të sulmuar nga opozita për dyshime për të shkuarën kriminale të tij.