Policia arrestoi sot pronarin e Universitetit Evropian të Tiranës, Henri Çili. Ai akuzohet se në këmbim të mbi 750 mijë eurove dhe disa pronave kishte marrë përsiper t’u siguronte mbështetje dhe lehtësim të dënimeve Arbjon dhe Alban Alikos, vrasës të policit Ibrahim Basha në vitin 2015.
Policia ka përgjuar të paktën dy takime dhe disa telefonata të Çilit me babain e vëllezërve Aliko dhe zyrtarë të ndryshëm.
Çili është përfshirë në këtë çështje prej vëllait te bashkëjetueses së tij, Gazmir Ajdini. Ajdini i ka ofruar babait të vëllezërve Aliko rishikimin e çështjes dhe ka ndërmjetësuar një takim me Çilin.
Gazetari Elton Qyno thotë se Adil Aliko ëshë takuar me Çilin më 7 dhjetor 2019. Takimi është përgjuar. Aty në këmbim të lirimit të djemve, Aliko i ka premtuar, apartamente e dyqane në Velipojë dhe tokë në Gjirokastër.
Vëllezërit Aliko vranë oficerin e policisë Basha gjatë aksionit në Lazarat. Për vrasjen Arbjoni është dënuar përjetë ndërsa Albani me 17 vite e gjysmë burg. Çështja e tyre mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata e Lartë, e cila, për shkak të vetingut, aktualisht ka vetëm 1 anëtar, Ardian Dvoranin.
Sipas mediave Çili ka premtuar se përmes njohjeve të tij, me t’u riformuar Gjykata, çështja e vëllezërve Aliko do të shqyrtohej me përparësi.
Më 10 janar 2020 thuhet se Çili ka përfituar dhuratë prej biznesmenit Sait Fishta 4 apartamente dhe 3 dyqane në Velipojë. Dhurata që lidhen me premtimin e Alikos.
Akti i dhurimit në noteri thuhet se është firmosur nga Betim Shkupi, administrator i kompanisë së Çilit European Education Initiative Holding.
Çili është përgjuar gjatë muajit shkurt duke folur për këtë çështje në biseda telefonike me Ajdinin dhe Kryetarin e Kadastrës Shkodër.
Paralelisht familja Aliko ka mbledhur rreth 10 milionë lekë dhe është munduar do t’ia japë Gazmir Ajdinit.
Ndërkohë Çili thuhet se është përgjuar dhe fotografuar në një takim me një zyrtar të sistemit të drejtësisë, të cilin autoritetet e lidhin me çështjen.
Anëtari i vetëm i Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani mohoi të ketë njohje të afërt dhe aq më tepër të jetë takuar me Çilin.
Çili akuzohet për: fshehje të ardhurash; pastrim parash; falsifikim dokumentesh; mashtrim dhe ushtrim i ndikimit ndaj zyrtarëve.
Përveç Henri Çilit policia ka arrestuar për këtë çështje babain e vëllezërve Aliko, Adil Alikon, Gazmir Ajdinin, noteren Shpresa Gjocaj, juristin e UET-së Ilir Korbi, biznesmenët Sait dhe Besnik Fishta.