Policia e Kosovës ka arrestuar mbrëmjen e së shtunës Faik Fazliun, anëtar i kryesisë së Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish-kryetar i saj.
Lajmin e ka konfirmuar më median kosovare zëdhënësi i policisë së Prizrenit, Shaban Osmanollaj.
Sipas policisë, Fazliu është arrestuar pasi ka kërcënuar verbalisht një polic gjatë kontrollit për zbatimin e masave antiCOVID.
Inspektorë të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, të shoqëruar nga efektivë policie po kontrollonin një lokal lidhur me mosrespektimin e masave anti-COVID19.
Gjatë kësaj kohe pretendohet se Fazliu ka kanosur një prej policëve dhe më pas është bërë shoqërimi i tij.
Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka kërkuar lirimin e Faik Fazliut, pasi sipas tij ai nuk ka kanosur zyrtarët dhe shton se ndaj tij është ushtruar dhunë.