Policia ka arrestuar një tjetër zyrtare të Autoritetit Rrugor Shqiptar në Durrës, pjesë e grupit që i kanë dhënë leje një karburanti të ndërtojë një hyrje-dalje në rrugën kryesore, në shkelje me ligjin.
Ajo është Dhurata Lazaj, 55 vjeç, inxhiniere pranë ARRSH-së në Durrës.
Për të njëjtën çështje janë arrestuar dhe 7 persona të tjerë, zyrtarët të ARRSH-së dhe sipërmarrës përfitues.
Bëhet fjalë për një karburant të ndërtuar në rrugën kombëtarë që lidh zonën e Plepave me Kavajë. Pronari Koka ka ndërhyrë për të marrë leje nga ARRSH-ja për të prishur barrierat e rrugës dhe për ndërtuar një hyrje-dalje për karburantin. Kështu të gjithë ata që kalojnë në këtë rrugë mund të ndalojnë lirisht tek karburanti.
Mustafa Koka, në bashkëpunim me zyrtarët e ARRSH-së, dyshohen se kanë falsifikuar dokumentet për të treguar se toka ku është ndërtuar hyrje-dalja nga rruga kryesore, është në pronësi të Kokës.
Në të vërtetë, Koka është dëmshpërblyer më herët nga ARRSH-ja me rreth 170 mijë euro, për këtë tokë.
Burime nga prokuroria e Durrësit kanë thënë se operacioni për këtë rast po vijon dhe pritet të ketë arrestime të tjera.