Miroslav Mika Aleksic, regjisor i njohur në Serbi dhe pronar i shkollës së aktrimit në Beograd, u arrestua të dielën në mbrëmje, pasi disa vajza e raportuan atë për përdhunim dhe ngacmim seksual.
Policia serbe tha se Aleksiç u arrestua nën dyshimin e ngacmimit seksual të pesë studentëve të tij, dy prej të cilëve ishin të mitura.
Dyshohet se ai ka ngacmuar seksualisht studentet e tij në periudhën kohore 2012-2020 në mjediset e shkollës së aktrimit në Beograd.
Aktorja Milena Radulovic tha për mediat se Aleksiç e ka përdhunuar atë në disa herë kur ajo ishte e mitur.
Ajo shtoi se Aleksiç e përdhunoi për herë të parë në nëntor 2012 kur ajo ishte 17 dhe ai 61.
Shkollën e tij të aktrimit e kanë ndjekur mbi 3 mijë djem e vajza të reja.
Aleksiç ka qenë regjisori i një filmi mbi dasmën e kriminelit serb të luftës Zlejko Raznatoviç, i njohur me emrin Arkan. Në vitin 1993 ai ishte kandidat i partisë së Arkanit në parlamentin serb.
Ngjarja ka krijuar debate në shtetin serb pasi i bën jehonë skandalit të Hollivudit me producentin e famshëm, Harvey Weinstein.
Ministrja Serbe e Kulturës dhe Informacionit Maja Gojkovic, mirëpriti arrestimin e Aleksiç, dhe u shpreh që çështja të përfundonte në gjyq në mënyrë që ata që ishin përgjegjës të mbanin pasojat ligjore.
Ajo i dha një mesazh shoqërisë se dhuna ndaj grave nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar.
Sipas Ministrisë, Gojkovic vuri në dukje se rrëfimi i aktores së re Milena Radulovic, shqetësoi gjithë shoqërinë dhe tregoi se dhuna seksuale ndaj fëmijëve dhe grave është e pranishme dhe shpesh e fshehur.
Prandaj është thelbësore, tha ajo, që të gjitha viktimat të kenë mbështetje të qartë nga të gjithë në luftën e tyre.