Interpoli grek në bashkëpunim me Interpol Tiranë arrestuan shtetasin, Olsi Leka, 41 vjeç, i shpallur në kërkim për vrasjen e dy personave në Elbasan.
I arrestuari, me banim në Elbasan, u shpall në kërkim nga gjykata e Elbasanit më qershor 2020, për akuzën e vrasjes me paramendim, të Gentian dhe Nezir Beqirit, babë e bir, në gusht 2012.
Për këtë çështje u arrestua edhe Florenc Capja, por më pas u la i lirë.
Personat e tjerë të shpallur në kërkim janë Ervis Bardhi, 38 vjeç, nga Kavaja e banues në lagjen “Shënkoll” të Elbasanit, si dhe Etien Cani, 29 vjeç, banues në lagjen “Çlirimi” të këtij qyteti.
Vrasjet e dy personave u kryen për hakmarrje, pasi në 2005-n Gentjan Beqiri u akuzua nga organet e drejtësisë për vrasjen e biznesmenit Sokol Çapja, vrasje e cila ka ndodhur në një prej bareve të Elbasanit, pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani”.
Gentian Beqiri, vuante dënim me arrest shtëpie, kur u vra dhe dy policët që e ruanin nuk kuptuan asgjë derisa erdhi ambulanca.