Artikulli i plotë i Le Figaro: Reforma në Drejtësi dështon në dënimin e korrupsionit

Nga Exit News
Artikulli i plotë i Le Figaro: Reforma në Drejtësi dështon në dënimin e korrupsionit

Gazeta prestigjoze franceze “Le Figaro”, në artikullin “Shqipëria përballet me një mungesë gjyqtarësh të ndershëm” analizon se si reforma në drejtësi ende nuk ka dënuar “figurat e larta politike” të korruptuara, dhe krimin e organizuar, duke minuar besimin e qytetarëve tek ajo.

Më poshtë mund të lexoni të plotë artikullin, të shkruar nga i dërguari special, Thierry Portes:

Reforma ambicioze në drejtësi, e nisur në vitin 2016, solli shkarkimin e gjysmës së gjyqtarëve si pasojë e pasurisë së tyre të fshehur. Pasoja paradoksale: procedurat vonohen dhe lufta kundër korrupsionit minohet …

Për shkak të mungesës së kandidatëve të kualifikuar, shumë gjykata nuk mund të funksionojnë. Më shumë se 30,000 çështje, sipas arkivës së Gjykatës së Tiranës në vitin 2019, janë në pritje të gjykimit përfundimtar.

I Dërguari Special në Tiranë

Drejtësia shqiptare njeh një boshllëk të thellë. Reforma ambicioze, e kaluar në 2016, e cila gradualisht po vihet në zbatim, ka sjell shkarkimin e një numri të madh gjykatësish të paskrupullt, duke çorientuar gjithë sistemin.

Për shkak të mungesës së gjykatësve, shumë dosje janë vonuar. Dhe dyshimi fillon të krijohet. Sepse ndërsa populli është mërzitur nga ngadalësia e procedurave dhe është i paduruar për të parë dënimin e personave të njohur, krimi i organizuar dhe korrupsioni – dy fusha në të cilat Shqipëria shkëlqen – janë të vetmit që përfitojnë nga një reformë që supozohet t’i dënojë, por që deri më tani, u ka dhënë pushime të gjata gjyqësore.

Sokol Sadushi, nënkryetari i Gjykatës së Lartë dhe një nga autorët e kësaj reforme, të dëshiruar prej kohësh dhe të mbështetur nga Bashkimi Evropian, mbetet i bindur se “nuk kishte rrugë tjetër”, dhe se është “zgjidhja më e mirë për Shqipërinë”.

Në zyrën e tij në qendër të Tiranës, ai këmbëngul se “procesi është më shumë pozitiv sesa negativ”;

“Se më e rëndësishmja është ristrukturimi i sistemit”;

se “të gjithë do ta kuptojnë, kur gjithçka të shkojë në vend” sepse atëherë “gjyqtarët do të jenë më pak të korruptuar, më pak nën kontrollin e politikanëve, më profesionistë dhe më të përgjegjshëm sepse vlerësohen më mirë”, “sipas kritereve të qarta dhe transparente”.

Ai madje ëndërron që metoda shqiptare të kopjohet edhe nga vendet e tjera.

Reforma në drejtësi nisi në vitin 2016 me një votim në Parlament, i cili lejoi ndryshimet kushtetuese dhe i hapi rrugën procesit. Objektivat u identifikuan qartë dhe iu përgjigjen zërave të përmendur nga Sokol Sadushi.

Shqiptarët, të ballafaquar me gjyqtarë sa të paaftë, aq edhe të korruptuar, e mbështetën procesin.

Gjyqtarët shqiptarë iu nënshtruan një hetimi mbi situatën e tyre financiare, aftësive profesionale, dhe integritetin.

Një Këshill i Lartë i Drejtësisë, i përbërë nga magjistratë të caktuar nga kolegët e tyre, profesorë të drejtësisë, avokatë dhe anëtarë të shoqërisë civile, ishte përgjegjës për vlerësimin e tyre.

Për të mbrojtur emërimet nga ndikimi politik – Presidenti dhe Parlamenti zgjodhën fillimisht strukturat, sipas modelit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilat duhet të emëronin magjistratë dhe prokurorë të rinj, si dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa politikanët  vetëm do të mund të miratonin vendimet e marra nga këto institucione.

Prandaj, ishte e nevojshme të zgjidheshin gjykatës me integritet, pasi e gjithë reforma në drejtësi mbështetej mbi këtë gur të parë.

Përzgjedhja nuk u bë publike, duke argumentuar se nuk duheshin inkurajuar “gjykatat e njerëzve”.

Por, sipas një pune rigoroze nga Instituti Shqiptar i Studimeve Politike (AIPS), një numër mes 905 dhe 930 gjyqtarëve, prokurorëve dhe magjistratëve do t’i nënshtroheshin kontrollit nga viti 2017 deri në vitin 2022.

Në prill 2021, AIPS llogarit që mes 550 dhe 580 prej tyre ishin akoma në pritje të vlerësimit.

Nga 307 gjyqtarë, prokurorë dhe magjistratë, të cilët tashmë i janë nënshtruar hetimit, 149 janë konfirmuar në detyrë, por 112 janë shkarkuar dhe 46 kanë dhënë dorëheqjen.

Dhe nëse 47 të tjerë kanë apeluar vendimin, sado jo tërheqëse çështja, nuk mund të konsiderohen të mbyllura përfundimisht.

Në Shqipëri, një në dy gjykatës është i korruptuar!

“Po, rreth 50% e gjyqtarëve janë të sanksionuar,” vëren Sokol Sadushi me maturi. Dhe shpjegon se atyre u ndalohet kthimi në sistemin e drejtësisë për pesëmbëdhjetë vjet, por mund të ushtrojnë profesionin e avokatit.

Në Tiranë, statistikat, në vend që të prodhojnë tronditje, përshëndeten nga vdekatarët e zakonshëm me skepticizëm, madje edhe me mosbesim: ” Po mirë, a ka 50% gjykatës të ndershëm?”

Në këtë vend të vogël me rreth 2.5 milion banorë, gjithçka dihet.

Me rënien e diktaturës në fillim të viteve 1990, disa qytetarë u trajnuan me ngut për të zëvendësuar ish-gjyqtarët e regjimit komunist.

Bota politike, gjithmonë e korruptuar, ka përzgjedhur dhe tërhequr telat. Dhe gjyqtarët e rinj dhe familjet e tyre u panë të pasurohen shpejt, duke blerë makina luksoze dhe shtëpi të kushtueshme …

Para se situata e të gjithë gjyqtarëve të jetë e qartë dhe studentët e rinj të kalojnë konkurse dhe të ngjisin shkallët e karrierës ligjore, institucionet ka të ngjarë të ngecin edhe për shumë kohë.

Gjykatat më të larta ne vend nuk mund të formoheshin për shkak të mungesës së kandidatëve të kualifikuar, edhe pse numri i viteve të eksperiencës për tu zgjehdur gjykatës u ul.

Nga 15 anëtarë të Gjykatës së Lartë, 8 janë ende të pa plotësuar. Pasoja e parë, jo më pak se tridhjetë mijë çështje presin gjykimin përfundimtar.

Pasoja e dytë, gjykata më e lartë shqiptare nuk mundet të caktojë tre anëtarët që i takojnë në Gjykatën Kushtetues, e cila qëndron e lëkundur me gjashtë anëtarët e saj aktualë, të zgjedhur nga Parlamenti dhe presidenti.

Vendime të rëndësishme presin, gjë që e bën qeverinë të vazhdojë punën e saj e pashqetësuar.

“Kemi parë reformë, por nuk kemi parë drejtësi,” tha Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike.

Dhe ai shënjestron SPAK (Struktura Speciale Antikorrupsion), këtë super byro  prokurorësh të ngarkuar me hetimet kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe personaliteteve më të larta, që ende s’ka marr vendimin e parë.

“Dosjet shpesh kanë përfshirje  ndërkombëtare dhe janë të vështira e të gjata për t’u mbyllur”, pretendon nënkryetari i Gjykatës së Lartë.

SPAK nuk u formua deri në vitin 2019. Duhet kohë, nuk është ende gati.

Kjo është arsyeja e dhënë nga zyra e shtypit e SPAK për refuzimin e një interviste me Le Figaro.

Është e vërtetë që SPAK do të diskreditonte veten përgjithmonë, nëse do të humbiste objektivin e saj të parë, dënimin e figuarve të larta politike, në mënyrë që të rikthente besimin e popullatës në drejtësinë e saj.

“Por Shqipëria nuk ka oficerë policie të aftë për të kryer hetime të këtij niveli,” tha Afrim Krasniqi.

“Dhe ende nuk jemi afër së paturi një Falcone,” shton ai, duke iu referuar gjykatësit të famshëm italian të antimafias.

Pa polici cilësore, pa arsim cilësor dhe, në fund, edhe pa drejtësi cilësore. Janë të gjitha hallkat në zinxhirin e drejtësisë që duhet, një nga një, të kontrollohen dhe të bashkohen në Shqipëri.

Dhe derisa të pakorruptueshmit t’i japin vlerë ligjit dhe drejtësisë, rrokaqiejt që pastrojnë paratë e drogës dhe korrupsionit do të vazhdojnë të ngrihen në qiellin e Tiranës.

 

Përkthyer nga Exit News

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>