Përmes një postimi në Facebook, Artisti i Talentuar informoi Popullin që Do Shqipërinë për 10 pikat që ai do të ndërmarrë gjatë 100 ditëve të para të Qeverisë së Re të tij, e cila do të dekretohet në muajin shtator nga Presidenti i Ri dhe Armiku i Popullit Ilir Meta.
Pas një sërë takimesh të gjata dhe frutdhënëse, gjatë të cilave Ai ofroi veshin e Tij për të dëgjuar vuajtjet dhe problemet e Shërbyesve të Përunjur të tij, Dëgjuesi i Duruar po na paralajmëron për “përplasje”, “beteja” dhe “luftëra” të reja. Ne do të qendrojmë në krah të tij dhe do të japim me dashuri gjakun dhe mirëqenien tonë për kauzën e tij fisnike.
Së pari, është platforma e tij revolucionare bashkë-qeverisëse, e cila do të fillojë “një luftë të gjithanshme kundër parazitëve dhe grabitësve në çdo zyrë shteti.”
Reformatori i Përjetshëm, i cili do të nisë një “proces llogaridhënie në takime publike për të gjithë drejtorët e agjencive, inspektoriateve, drejtorive dhe zyrave të shtetit”, do t’i japë llogaridhënies publike vendin që i takon, duke e çliruar njëherë e për gjithmonë vendin tonë nga armiqtë e urryer dhe të korruptuar të popullit, të cilët kanë infektuar çdo degë të qeverisë.”
Nisur nga përvoja e shkëlqyer e Drejtësisë së Popullit gjatë Revolucionit Kulturoro-Ideologjik, ne presim me gëzim të paduruar të shohim si Gjykatësi i Pakorruptueshëm do të dëgjojë sërish Zërin e Vërtetë të Popullit. Në fakt, ne nuk do të prodhojmë asgjë në këtë vend, vetëm do t’i dënojmë të gjithë.
Kur Ai deklaron se Ai do ta “mbyllë me fitoren e padiskutueshme të Policisë së Shtetit luftën e këtij viti dhe do të shpallë fundin e historisë së shëmtuar të kultivimit masiv dhe të paligjshëm të kanabisit në Shqipëri”, ne nuk kemi asnjë dyshim se kjo fitore do të jetë vërtetë e padiskutueshme, madje edhe ata që vazhdojnë ta përbaltin emrin e Vendit të Mrekullueshëm Dy-Krenash nën maskën e zbatimit të ligjit do të duhet të ulin me përulje kokat e tyre të deformuara.
Për më tepër, Përmirësuesi i Palodhur do të “luftojë kundër abuzimit me ujin e pijshëm”, “do të fillojë pastrimin e plotë të rrugëve kombëtare”, “do t’i shpallë luftë si kurrë më parë ndotjes së mjedisit”, do të “fillojë betejën e gjatë për sigurinë ushqimore”. Sapo të dëgjojmë thirrjen e tij për luftë, ne do ta ndjekim atë në aksion, me dëshirë ose jo.
Uji i pastër, ushqimi i sigurt dhe rrugët me kryqëzime të sigurta janë gjithçka na duhet për ta çuar këtë vend përpara, ndaj ne i brohorasim përpjekjet e Urbanistit Superior për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ata që dëmtojnë makinat tona, që pështyjnë në ushqimin tonë dhe që ndotin ujin tonë.
Përderisa asnjë miku të vërtetë të ish-Kryebashkiakut tonë të Madhërishëm nuk do t’i shkonte ndërmend ndonjëherë të dëmtonte interesat e kombit shqiptar, pritet që një pjesë e oligarkisë së përçmuar të vendit të bjerë në gjunjë dhe të lutet për mëshirë, posa Ekzekutuesi i Përjetshëm të shpallë dhjetë pikat e tij në shtator.
Ne duartrokasim faktin që asnjë nga këto pika nuk lidhet me prioritetet kyçe të vendosura nga BE për hapjen e bisedimeve për anëtarësim: përmirësimi i administratës publike, lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, forcimi i të drejtave të njeriut dhe të pronës, dhe fuqizimi i sistemit të drejtësisë. Këto koncepte të helmuara janë produkt i qëllimeve të vonuara të ideologjisë borgjeze për t’ia nënshtruar kombin e lavdishëm shqiptar zgjedhës së interesave të turpshme të fuqive të huaja. Kurrë më!
Së fundmi, ne duartrokasim në masë ndërgjegjësimin e tij të sinqertë se Parajsa e Punëtorëve nuk ndërtohet dot e gjitha në një ditë:
Siç kuptohet një pjesë e këtyre operacioneve, shkojnë përtej kufirit të 100 ditëve, por mendoj se nisja e tyre që ditën e parë të mandatit të ri është kusht për suksesin e tyre. Si mendoni?
Si mendoni?
Vdekje Demokracisë, Liri popullit!