Grupi anti-Basha do të krijojë një fraksion në PD dhe do të kërkojë që ky fraksion të përfaqësohet me poste në krye të PD-së.
Këtë strategji ka bërë të njohur drejtuesi i grupit, Astrit Patozi në dy intervista të njëpasnjëshme, të premten në Oktapod në Vizion+ dhe mbrëmë në Top Story, në Top Channel.
Patozi e ka quajtur krizë përfaqësimi të PD-së faktin që grupi parlamentar është zgjedhje vetjake e Bashës dhe jo e PD-së, fakt ky i pranuar nga Lulzim Basha edhe Sali Berisha, të cilët Patozi i ka quajtur bashkë-udhëheqës të PD-së.
Për këtë arsye, duke e cilësuar grupin anti-Basha si shumicë në PD, Patozi ka kërkuar që ky grup duhet të përfaqësohet me poste në drejtimin e PD-së.
Patozi e ka përjashtuar mundësinë që ai dhe grupi i tij mund të pranojnë të qëndrojnë në PD pa marrë pjesë në drejtimin e PD-së duke u shprehur se:
“Nëse e keni parasysh nuk ka ndodhur ndonjëherë në botë që gjeneralët të kthehen në të njejtën ushtri si ushtarë. Gjeneralët ose vriten ose dalin në pension. Po, vetëm një i çmendur, domethënë, mund të mendojë se gjeneralët mund të kthehen si ushtarë në të njejtën ushtri, sepse është nonsens, domethënë, është e paimagjinueshme.”
Mbrëmë në Top Story, Patozi është shprehur se nuk do të tërhiqen nga qendrimi i tyre për bashkëdrejtim të PD-së me Bashën.
Patozi ka thënë se nëse Basha nuk e pranon këtë qasje, ata do t’i imponohen atij, por ai nuk ka specifikuar se çfarë ka nënkuptuar me imponim.
Për herë të parë grupi anti-Basha, ka mbajtur përmes Patozit një qëndrim të qartë kundër Sali Berishës, i cili mbështet Bashën dhe unitetin e PD-së.
Në bisedën në Top Story, fillimisht Patozi ka aluduar për Zotin Berisha duke thënë se:
“Ne do t’i imponohemi zotit Basha dhe kujtdo tjetër që mund të qëndrojë para dhe pas tij.”
Por pasi është pyetur më tej nga Sokol Balla, Zoti Patozi është shprehur direkt duke thënë:
“Nëse zoti Berisha do të na dalë përballë, ne do të jemi edhe kundër tij. Nëse Berisha del dhe të thotë është kundër alternativës, do të jemi edhe kundër tij. Kjo është shumë e thjeshtë.”