Roland Saliu, Drejtori i OSHEE në Vlorë dhe Erven Hyseni, pronari i televizionit lokal “Vlora Channel”, u vranë dje në mbrëmje, në Vlorë, në një atentat mafioz.
Çfarë dihet deri më tani rreth ngjarjes?
Mbrëmë rreth orës 19:40, Roland Saliu dhe Erven Hyseni ishin në një prej kafeneve, në pronësi të biznesmenit Hyseni, tek Sheshi i Flamurit në Vlorë. Dy viktimat ishin ulur në tavolina të ndryshme.
Persona ende të paidentifikuar qëlluan në drejtim të tyre, me kallashnikov nga një makinë në lëvizje.
Nga breshëria e plumbave, kreu i OSHEE Roland Saliu mbeti i vdekur, ndërsa Erven Hyseni u plagos rëndë dhe më pas ndërroi jetë rrugës për në spital.
Autorët u larguan menjëherë nga vendi i ngjarjes. Policia ka gjetur në automjet të djegur në fshatin Panaja të Vlorës, që dyshohet se mund të jetë e autorëve.
Pistat e hetimit?
Deri më tani mësohet se policia po heton dy pista:
-Shënjestra e atentatit është Erven Hysenaj, që përveç bizneseve në zonën e Vlorës, njihet dhe si afërmi i Akil Rakipit, një prej viktimave të ngjarjes së rëndë të prillit 2015, që njihet si masakra e Çoles, ku mbetën të vrarë 3 të rinj dhe u plagos rëndë një i katërt.
-Shënjestra e atentatit është Roland Saliu për shkak të detyrës si Drejtori OSHEE-së Vlorë, detyrë të cilën e mbante prej dy vitesh.
Gjithsesi duket se hetimet janë përqendruar në pistën e parë duke qenë se Roland Saliu nuk ka pasur konflikte të ashpra gjatë punës së tij.
Nga mënyra e organizimit, largimi me shpejtësi dhe masat e marra nga vrasësit për të fshirë çdo gjurmë, duket se kemi të bëjmë me një vrasje të kryer nga profesionistë.
Deri më tani Policia e Vlorës ka shoqëruar në komisariat 15 persona si të dyshuar apo që mund të kenë dijeni për atentatin.