Dokumentet në makinën e prokurorit Ndoja jo ato që u vodhën në Prokurorinë e Durrësit

Nga Stafi i Exit
Dokumentet në makinën e prokurorit Ndoja jo ato që u vodhën në Prokurorinë e Durrësit

Dosjet e gjetura në makinën në të cilën u qëllua me armë prokurori Arjan Ndoja nuk kanë lidhje me materialet që ishin vjedhur më parë në Prokurorinë e Durrësit. Hetimet për identifikimin e autorëve kanë ngecur dhe aktualisht mbetet vetëm një person i arrestuar.

RTV Ora iu referua burimeve të saja pranë prokurorisë duke theksuar se dokumentet e gjetura në makinën e Ndojës nuk kishin lidhje me ato të grabitura një vit më parë në Prokurorinë e Durrësit. Prokuroria nuk ka ende rezultatet e analizave të ADN-së. Pamjet e kamerave të sigurisë të marra përgjatë autostradës Tiranë-Durrës nuk kanë cilësi dhe nuk kanë shërbyer të dhëna domethënëse për hetimet.

Prokurori Arjan Ndoja u qëllua me armë pasditen e 1 nëntorit ndërsa udhëtonte me makinë në autostradën Tiranë-Durrës pranë mbikalimit të Shkozetit. Raportime në media e lidhën sulmin me armë me “përplasje të mundshme bandash për pronat në Gjirin e Lalzit”.

Gjetja e disa dosjeve në makinë ngriti dyshimet në media se ato ishin materialet që ishin grabitur në maj të vitit 2018 në Prokurorinë e Durrësit. Lajm ky që u përgënjeshtrua fillimisht nga vetë Ndoja e tashmë edhe nga burime pranë Prokurorisë.

Përpara sulmit me armë prokurori Ndoja ishte akuzuar nga mazhoranca se kishte lidhje me krimin e organizuar. Ai u sulmua politikisht nga Kryeministri Rama dhe Zv/Kryeministri Braçe pasi Ndoja çoi për ndjekje penale ish-drejtorin e hipotekës së Durrësit Liridon Pula. Pula u akuzua për shpërdorim detyre.

Bashkë me prokurorin, në makinë, u qëlluan edhe Aleksandër Laho dhe Andi Maloku, ky i fundit vdiq në spital pak ditë më vonë. Ndryshe nga Maloku, Ndoja dhe Laho, i cili njihet me pseudonimin “Rrumi”, mundën t’i mbijetonin plagëve dhe lane spitalin vetëm këtë javë.

Policia ka arrestuar vetëm një person të dyshuar për këtë atentat. Ai është Redjan Rraja, i afërm i deputetit të PS-së Rrahman Rraja. Arrestimi u bë në pikën kufitare të Hanit të Hotit në Shkodër.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>