
Ministri i Jashtëm austriak Alexander Schallenberg shprehu sot mbështetjen e Austrisë për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.
Gjatë një deklarate të përbashkët shtypi me ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj, Zoti Scahllenberg deklaroi:
“Qëndrimi i Austrisë është shumë i qartë, ne duam të hapet drita e gjelbër me Maqedoninë e Veriut dhe me Shqipërinë.
Jemi përpara diskutimeve të vështira, sepse ju e dini se nuk ka unanimitet në Këshill [për hapjen e negociatave me Shqipërinë], por ajo që duhet thënë është se Austria do të mbështesë Shqipërinë.”
Ministri austriak tha se një prej vendeve që nuk duket e bindur për hapjen e negociatave me Shqipërinë është Franca, për shkak të problemit të vazhduar me numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë:
“Situata e azilkërkuesve shqiptarë është një situatë që vazhdon, por e prek më pak Austrinë se shtetet anëtare. Me shumë ndershmëri mund të them se është një tipar i përsëritur në diskutimet me kolegët francezë.”
Ministri Schallenberg njoftoi dhe vendimin e qeverisë austriake për të ndihmuar shtetin shqiptar me një dhurim prej 200 mijë eurosh për të prekurit nga tërmeti i 21 shtatorit.
Dy ministrat biseduan gjithashtu për marrëdhëniet dy palëshe mes vendeve dhe premtuan të rrisin bashkëpunimin, veçanërisht në fushën ekonomike.