Autokratët e rinj të Ballkanit

Nga Besnik Pula
Autokratët e rinj të Ballkanit

Në një vështrim të parë, sidomos krahasuar me pjesë të tjera të botës, Ballkani duket se është në gjendje të mirë.

Në mënyrë të veçantë, vitet e fundit duket se kanë qenë të mira për ambiciet e rajonit për t’u integruar me Perëndimin. Në vitin 2013, Kroacia ju bashkua Bashkimit Europian, pas nëntë vjet si vend kandidat. Një vit më parë, Serbia u bë vend kandidat për anëtarësim në union. Në vitin 2014, Shqipëria ju bashkua rradhëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë, të cilat janë vende kandidate prej disa vitesh. Kosova, pavarësia e së cilës ende nuk njihet nga pesë anëtarë të BE-së, nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, duke hapur rrugën për anëtarësim të mundshëm në të ardhmen.

Ndërkohë, dhjetorin e kaluar, NATO i ofroi ftesën zyrtare për anëtarësim Malit të Zi; një muaj më vonë, pa shumë bujë, qeveria serbe nënshkroi një plan të Partneritetit Individual të Veprimit me NATO-n, i cili thellon bashkëpunimin mes ushtrisë serbe dhe aleancës ushtarake perëndimore dhe i garanton trupave të NATO-s imunitetin dhe lirinë e lëvizjes në tërë territorin e Serbisë. Shqipëria dhe Kroacia janë anëtare të NATO-s që nga viti 2009, ndërkohë që kandidatura e Maqedonisë për anëtarësim është penguar nga mosmarrëveshja e saj me Greqinë në lidhje me emrin.

Qëllimi i lëvizjeve të fundit diplomatike nga ana e Perëndimit ka qenë kundërvënia ndaj ndikimit rus në rajon dhe mbështetja e konsolidimit të demokracisë dhe shtetit të së drejtës në këto vende. Përpjekjet e Perëndimit duket se po japin frytet e tyre.

Por një vështrim nga afër i këtyre sukseseve të supozura tregon se frutat mund të jenë të kalbura. Një brez i ri autokratësh ka filluar ta kontrollojë rajonin, ndonjëherë me bashkëpunimin e drejtpërdrejtë të politikëbërësve tejet të zellshëm amerikanë dhe zyrtarëve të shpërqendruar të BE-së. Tashmë, është e qartë se “perëndimizimi” në dukje i rajonit është bërë me një kosto të madhe.

Politikëbërësit e SHBA-ve dhe BE-së kanë qenë të gatshëm të bëjnë një sy qorr ndaj korrupsionit, i cili ka pllakosur qeveritë e rajonit, dhe të nënvlerësojnë apo injorojnë ngritjen e ngadaltë të sunduesve autokratë. Këta autokratë veprojnë me strategji të ndryshme dhe më të sofistikuara se ato të autokratëve të viteve 1990-të. Në politikën e tyre të jashtme, ata përqafojnë me entuziazëm BE-në; me përjashtim të Serbisë, ata shprehin të njejtin entuziazëm për NATO-n. Ata janë të stërvitur mirë për t’ju thënë diplomatëve perëndimorë atë që këta të fundit duan të dëgjojnë, ndërkohë që në vendet e tyre shkelin haptazi parimet demokratike dhe sundimin e ligjit.

Në politikën e brendëshme, këta sundimtarë mbështeten në një formulë të provuar suksesi që i bën qyetarët e tyre të shtypur ekonomikisht—të cilët vuajnë nga papunësia e niveleve më të larta në Evropë—plotësisht të varur për punë dhe burime jetese nga rrjetet e patronazhit të kontrolluara nga shteti. Gjithashtu, ata i godasin kundërshtarët e tyre të brendshëm duke krijuar aleanca me oligarkët locale—shpesh të varur nga shteti për pasurinë e tyre—dhe duke vënë nën kontroll mediat dhe gjyqësorin.

Le të shohim shembullin e Malit të Zi. Një vend i vogël me rreth 650 mijë banorë, Mali i Zi ka qenë për 25 vjet, në një mënyrë ose tjetër, nën sundimin e kryeministrit aktual Milo Gjukanoviç dhe Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të kontrolluar prej tij. Në fund të viteve 1990-të, Gjukanoviç u prish me krahun pro-serb të partisë së tij dhe e çoi Malin e Zi drejt pavarësisë nga Serbia në vitin 2006. Qysh atëherë, Gjukanoviç e ka kthyer Malin e Zi de fakto në protektoratin privat të familjes së tij. Në vitin 2007, prokurorët italianë e akuzuan zyrtarisht Gjukanoviçin për drejtimin, gjatë viteve 1990-të, të një skeme kontrabande cigaresh dhe pastrimi parash—akuza të cilat Gjukanoviç i ka mohuar me forcë. Ndërkohë, duke u mbështetur në imunitetin e tij diplomatik ai ka shmangur bashkëpunimin me prokurorinë. Në vitin 2009, një raport nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativë zbuloi se Gjukanoviç kishe në pronësi asete me vlerë gati 15 milion dollarë—një pasuri jo e vogël për dikë që në të ardhurat e tij raporton një pagë mujore prej 1 500 euro. Vëllai i Gjukanoviçit, Alekandër “Ako” Gjukanoviç, është një nga njerëzit më të pasur të Malit të Zi. Pasi filloi biznesin si organizator koncertesh në vitet 1990-të, ai është tani—ndërmjet shumë bizneseve të tjera— aksioneri kryesor i Bankës së Parë, e cila u privatizua në vitin 2006, përmes një proçesi që shumë besuan se ishte i manipuluar. Privatizimi u krye përmes një tenderi të hapur ku u paraqit vetëm një ofertë, nga një kompani në pronësi të vëllait të Kryeministrit. Më pas, Banka e Parë  arriti të bëhej banka më e madhe në Malin të Zi, pasi qeveria u bë klienti i saj më i madh.

Në Maqedoni, qeverisja prej një dekade nga partia e qendrës së djathtë VMRO-DPMNE e Nikolla Gruevskit është shoqëruar jo vetëm nga korrupsioni i shfrenuar, por edhe nga një minim tërësor dhe i hapur i demokracisë. Vitin e kaluar në vend shpërtheu një skandal përgjimi i cili përfshinte Gruevskin, duke zbuluar përdorimin e gjerë nga ana e qeverisë të shërbimit të fshehtë për të spiunuar opozitën dhe bashkëpunëtorët politikë të Gruevskit. Deri në vitin 2014, BE-ja kishte identifikuar pak probleme serioze me korrupsionin në nivelet e larta në Maqedoni, por pas skandalit, një hetim i Komisionit Evropian konstatoi se qeveria është angazhuar sistematikisht në “ndërhyrje në çështjet gjyqësore, kufizim të lirisë së medias, parregullsi zgjedhore, unifikimin e shtetit dhe partisë, si dhe mungesën e mbikëqyrjes mbi aktivitetet e institucioneve të sigurisë.” Kriza që pasoi skandalin, përfshi bojkotimin e parlamentit nga opozita, përfundoi me ndihmëm e një ndërmjetësi të BE-së i cili negocioi dorëheqjen e Gruevskit dhe caktimin e një afati kohor për zgjedhjet e parakohshme të këtij viti. Megjithatë, tërheqja e Gruevskit nga qeveria duket e përkohshme. Ai është aktiv në fushatë dhe shfaqet pothuajse përditë në media, ndërs sondazhet tregojnë se VMRO-DPMNE mbetet partia më popullore e Maqedonisë dhe është pranë kthimit në pushtet. Këtë javë, aleati i Gruevskit, presidenti maqedonas Gjorge Ivanov, befas urdhëroi ndalimin e hetimit penal mbi skandalin e përgjimeve. Ky veprim, praktikisht e çliroi Gruevskin nga përballja e mundshme me akuzat penale për veprimet e tij.

Nga Kroacia në Shqipëri, rajoni ka shumë histori të zymta të autokratëve që fshihen nën petkun e demokratëve. Megjithatë, vlerësimi më i madh për transformimin më dramatik politik—nga aleati i një krimineli lufte në të preferuarin e Perëndimit—pa dyshim i takon kryeministrit aktual serb Aleksandër Vuçiç.

Vuçiç është kthyer shpejt në të preferuarin e Perëndimit për gatishmërinë e tij për të mbajtur larg vendit ndikimit rus. Vuçiç ka arritur të realizoj këtë qëllim të vështirë, pavarësisht rezistencës së partnerit të tij qeverisës dhe ish-kujdestarit të tij politik, Presidentit Tomisllav Nikoliç. Të dy, Vuçiç dhe Nikoliç, e kaluan fundin e viteve 1990-të si aleatë të ish-diktatorit Sllobodan Millosheviç, por që atëherë kanë bërë një rrugë të gjatë për të rimodeluar imazhin e tyre nga nacionalistë radikalë në reformatorë. Vitin e kaluar, Vuçiç ishte një ndër udhëheqësit e pakët ballkanik që u prit në Shtëpinë e Bardhë, ku u takua nga Zv. Presidenti Joe Biden dhe këshilltarja e sigurisë kombëtare Susan Rice. Në një lëvizje që duhet të ketë kënaqur mjaft zyrtarët amerikanë, Vuçiç kreu një manovër të madhe gjeopolitike duke nënshkruar marrëveshjen e shumë-debatuar me NATO-n, duke goditur, praktikisht, atë që shumë e shihnin si përpjekje ruse për të fituar një pikëmbështetje ushtarake në Serbi. Jo çuditërisht, Moska reagoi me zemërim ndaj marrëveshjes së Beogradit me NATO-n, por deri më tani ka shmangur ndonjë hap hakmarrës.

Megjithatë, Vuçiç nuk e ka hedhur në koshin e plehrave numrin e telefonit e Kremlinit. Tetorin e kaluar, ai vizitoi Moskën, ku u takua me presidentin Vladimir Putin për të nënshkruar një marrëveshje për blerjen e pajisjeve ushtarake ruse. Ndryshe nga Shqipëria dhe Mali i Zi, Vuçiç u ka rezistuar kërkesave që t’i përmbahet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, të vendosura pas krizës në Ukrainë. Ai dhe Nikoliç kanë bërë përpjekje personale për të qetësuar frikën ruse mbi marrëveshjen e Serbisë me NATO-n dhe kanë rikonfirmuar pozicionin zyrtar për neutralitet ushtarak.

Dhjetorin e kaluar, Vuçiç u lavdërua nga zyrtarët e BE-së për arrestimin e 80 ish-zyrtarëve, përfshirë ish-ministra, me akuza për korrupsion. Në mënyrë shumë të përshtatshme për Vuçiç, shumica e të arrestuarve ishin anëtarë të partive opozitare. Mediat e pavarura të Serbisë kanë vuajtur nën sundimin e tij: Human Rights Ëatch ka raportuar se numri i sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve në Serbi ka qenë ndër më të lartët në rajon. Para pak kohe, një gazetar i televizionit shtetëror të Serbisë u shkarkua pasi bëri disa “pyetje të papërshtatshme” ndaj Vuçiçity për rolin e tij në spastrimin etnik të viteve 1990-të. Ky nuk ishte momenti i duhur: këto ditë është shumë e rëndësishme për Vuçiç të valëvisë kredencialet e tij reformiste dhe pro-BE-së, pasi Serbia do të ketë zgjedhje këtë muaj, të cilat ai pritet të fitojë lehtësisht.

Vuçiç ka arritur, pjesërisht, të afrohet me Perëndimin nëpërmjet gadishmërisë së tij për të vazhduar negociatat me udhëheqësit e Kosovës, në përpjekje për të “normalizuar” marrëdhëniet me shtetin e sapolindur. Por ky “normalizim” nuk sjell njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia—të cilën Vuçiç e refuzon kategorikisht—dhe as shpërbërjen e institucioneve paralele të Beogradit në veri të Kosovës. Në fakt, nën presionin e BE-së dhe SHBA-ve, vitin e kaluar qeveria e Kosovës pranoi të njohë dhe të përfshijë disa prej këtyre institucioneve në strukturat shtetërore, një veprim që ngjalli reagim të ashpër politik.

Kosova, me moshë më pak se një dekadë, është vetë e ekspozuar ndaj tipareve të një autokracie që ka nisur të lulëzojë: Partia Demokratike e Kosovës, udhëhequr nga Hashim Thaçi, ish-kryeministër dhe i sapo zgjedhur President, nuk arriti të fitojë shumicën në zgjedhjet e vitit 2014 dhe e ka mbajtur pushtetin kryesisht duke u mbështetur mbi kontrollin që ajo ka mbi Gjykatën Kushtetuese. Në përgjigje të protestave të opozitës kundër marrëveshjes me Beogradin, qeveria ka arrestuar dhjetëra deputetë të opozitës dhe liderin e partisë kryesore të opozitës, duke përdorur dhe njësitë antiterroriste të policisë për të bastisur selinë e partisë kryesore opozitare.

Për një sërë arsyesh, SHBA-të dhe BE-ja kanë treguar tolerancë të madhe ndaj abuzimeve të autokratëve të Ballkanit. Në kontekstin e krizës në Ukrainë, prioritetet e SHBA-ve janë zhvendosur drejt zgjerimit të NATO-s dhe parandalimit dhe zvogëlimit të ndikimit rus në rajon, veçanërisht në Serbi dhe Mal të Zi. Kjo i bën liderët si Gjukanoviç dhe Vuçic interlokutorë shumë të vlefshëm. Disa vëzhgues besojnë se mbështetja e SHBA-ve në njohjen e pretendimeve serbe në veri të Kosovës është pjesërisht rezultat i këtij peizazhi gjeopolitik dinamik, në të cilën SHBA-të janë të gatshme të paguajnë një çmim për të qetësuar Beogradin. Presioni diplomatik për njohjen ndërkombëtare të Kosovës ka rënë. Megjithëse njihet nga më shumë se 100 vende, Kosova mbetet përgjithësisht e përjashtuar nga organizatat ndërkombëtare. Vitin e kaluar, Kosova nisi një përpjekje të dështuar për t’u anëtarësuar në UNESCO.

Gjeopolitika ka rritur rëndësinë e sundimtarëve të Ballkanit në mënyra të tjera. Sot, aftësia e tyre për të pranuar menjëherë kërkesat e fuqive perëndimore është më e çmuar se suksesi në proçesin e gjatë dhe të ngadaltë të reformave demokratike dhe sistemit të drejtësisë. Kriza e refugjatëve e ka bërë Maqedoninë një shtet të rëndësishëm kufitar dhe BE-ja ka bërë një sy qorr për përdorimin e taktikave të dhunshme të saj për të parandaluar sirianët dhe refugjatët e tjerë nga Lindja e Mesme ta përdorin vendin si pikë tranziti për destinacione si Austria, Gjermania dhe Franca. Përpjekjet e Serbisë për të kontrolluar lëvizjen e refugjatëve janë duatrokitur po ashut, sidomos duke pasur parasysh tensionet që çështja ka krijuar në Hungarinë fqinje. Për më tepër, kriza e brendshme—përfshi edhe dilemën e eurozonës, mundësinë e daljes së britanisë nga BE dhe kundërshtimet politike për pranimin e refugjatëve— i kanë mbajtur zyrtarët e BE-së të shqetësuar për çështje të brendshme, duke e bërë zgjerimin e BE-së shqetësim dytësor.

Shqetësimet thelbësore për çështje të sigurisë dhe stabilitetit politik janë pjesërisht arsyeja për lirinë që u është dhënë autokratëve të rinj të Ballkanit. Të vetëdijshëm për domosdoshmërinë e tyre për qëllimet strategjike dhe interesat gjeopolitike, përtej demokratizimit dhe shtetit të së drejtës, liderët lokalë kanë shfrytëzuar me mjeshtëri mbulesën politike dhe diplomatike të ofruar nga lidhjet e përforcuara me BE-në dhe SHBA-të për të sulmuar dhe minuar kundërshtarët e brendshëm. Këto lidhje, në veçanti kanë lejuar liderët si Gruevski, Thaçi, dhe Gjukanoviçi të pretendojnë se, ndryshe nga kundërshtarët e tyre, ata gëzojnë mbështetjen e fuqive të mëdha perëndimore. Dhe me një opozitë të brendshme të dobësuar,nuk ka pothuajse asnjë pengesë për ambiciet e tyre për pushtet të pakufizuar.

Ballkani mund të sigurojë një mburojë ndaj ndikimit rus në Evropë dhe të ndalojë lëvizjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme. Tolerimi i sjelljes autokratike dhe keqqeverisjes mund të duket një çmim që ja vlen të paguhet për hir të stabilitetit. Por kjo është një lojë e rrezikshme dhe e kushtueshme. Vitin e kaluar, në një vizitë në Kroaci, Ndihmës Sekretarja e Shtetit e SHBA-ve, Victoria Nuland mbajti një fjalim për të paralajmëruar liderët e rajonit nga kërcënimet e “ekstremizmit të dhunshëm, korrupsionit, kriminalitetit, autokratëve të rëndomtë dhe oligarkëve të cilët vijnë me dhurata, por që promovojnë interesat e tyre.” Deklarata u interpretua si goditje ndaj Rusisë. Por politikëbërësit e SHBA-ve dhe BE-së duhet të pyesin veten nëse oligarkët, autokratët, dhe kleptokratët ballkanikë, që shfaqen si pro-perëndimorë, janë më mirë se Putini, apo nëse ata janë vërtetë të dobishëm për interesat afatgjata të Perëndimit në rajon. BE-ja duhet të vendosë nëse do të kërkojë reforma dhe ndryshime kuptimplote politike apo do të lejojë autokratët e rinj të Ballkanit të manovrojnë me mashtrime drejt BE-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>