Avokatët e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi kanë kërkuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) një listë paraprake të dëshmitarëve, dëshmitë e të cilëve synon t’i përdorë në procesin ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së.
Avokati i Thaçit, Luka Mishetiç bëri kërkesën që ZPS-ja të listojë dëshmitarët që dëshiron të thërrasë që të japin dëshminë e tyre në sallën e gjyqit dhe ata që nuk do t’i thërrasë në sallë për të dëshmuar. Kjo kërkesë u mbështet edhe nga avokatët e Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Prokurorja e ZPS-së tha se lista paraprake e dëshmitarëve publikohet në rrethana shumë të veçanta, me udhëzime shumë të rrepta.
“Nuk jemi në ato rrethana. Kjo nuk është rrethanë të cilën e shohim në procesin tonë”, tha prokurorja.
ZPS-ja argumentoi se ka nisur nxjerrjen e materialeve dhe do të vazhdojë të bëjë një gjë të tillë për të gjithë dëshmitarët, duke argumentuar se prokuroria do të mbështesë të gjithë rastin e saj në dëshmitarët që ka, pavarësisht nëse ata do të thirren në sallën e gjyqit për të dëshmuar.
Mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së kritikoi Zyrën e Prokurorin e Specializuar për zvarritjen e nxjerrjes së materialeve dhe ndryshimin e afatit për dorëzimin e materialeve dhe masave mbrojtëse.
Në Dhomën e Specializuar në Hagë më 21 korrik u mbajt konferenca e gjashtë statusore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Në këtë konferencë, Prokuroria tregon çfarë lloj provash disponon.
Në fund të saj, gjykatësi Guillou propozoi që konferenca e radhës të mbahet më 13 apo 14 shtator dhe mbrojtja nuk pati kundërshti për këto data.