Avokati i Popullit i ka kërkuar Ministrisë së Shëndetësisë që t’i garantojë çdo qytetari të drejtën për tu testuar për koronavirusin.
Përmes një deklarate publike, Avokati thekson se qytetarët kanë të drejtën e tyre për tu diagnostikuar dhe marrë trajtim:
“Institucioni i Avokatit të Popullit e vlerëson të drejtën për t’u diagnostikuar dhe për të marrë trajtim mbi bazën e testimeve, si një të drejtë të njohur nga ligji. Rezulton se kjo e drejtë nuk mundësohet për qytetarët në masën e nevojshme por është e kufizuar vetëm në domosdoshmëri.”
Institucioni i bëri thirrje ministrisë që të marrë masat për rritjen e kapaciteteve për të testuar të gjithë qyteterët, dhe jo vetëm ata që kanë simptoma të rënda ose janë kontakte të pacientëve të mëparshëm, siç po bëhet aktualisht.