Mësuesi turk i cili u dëbua në Turqi më 1 janar kishte kërkuar azil politik, por kërkesa iu mohua.
Zëri i Amerikës foli me avokatin e Harun Çelik, 42-vjeçarit të akuzuar si mbështetës i lëvizjes së Fethullah Gülen. Ai u dëbua nga Shqipëria për në Turqi edhe pse atje i rrezikohej jeta.
Avokati Alban Bengasi tha se Çelik ishte arrestuar 6 muaj më parë për shkak se po udhëtonte me dokumente false për t’u larguar drejt Kanadasë. Ai po largohej nga Turqia për shkak të kërcënimeve me jetë.
“Zoti Çelik u kërkoi zyrtarëve azil politik, por kjo iu refuzua nga autoritetet e policisë së burgjeve.”
Zëri i Amerikës pyeti zyrtarë të policisë shqiptare rreth kësaj çështjeje, por nuk mori përgjigje rreth pretendimit se mësuesi turk kishte kërkuar apo jo azil.
Avokati Bengasi tha se është e pazakontë që një person i ndaluar për falsifikim dokumentesh të mbahet kaq gjatë në paraburgim – 6 muaj. Ai tha se fati i mëtejshëm i klientit të tij, pas deportimit, është i paqartë.
Prej rreth 3 vitesh Turqia ka nisur një fushatë arrestimesh në masë të gjithkujt që ka lidhje me organizatën e Gülenit, ish-aleatit të Presidentit Edrogan, i akuzuar si terrorist dhe si organizator i grushtit të shtetit të vitit 2016.
Lëvizja e Fethullah Gülen konsiderohet organizatë terroriste në Turqi, Pakistan dhe disa nga vendet anëtare të Organizatës së Bashkëpunimit Islam. Vetë udhëheqësi i kësaj lëvizjeje jeton në SHBA, të cilat kanë refuzuar kërkesat e Erdogan për arrestim dhe ekstradim të tij deri në momentin ku akuzat për aktivitet terrorist mbeten të paprovuara.