Deputeti Taulant Balla, në fjalën e tij të mërkurën në Parlament, deklaroi se presidenti Meta ishte përgjegjës indirekt për vrasjen në Elbasan për mbështetësit të PS-së, Pjerin Xhuvanit.
Sipas Ballës, 3-4 orë përpara ngjarjes Meta “deklaronte dhe bënte thirrje të mprehin sfurqet, kosoret, lopatat, sëpatat, t’i kenë gati për të dielën dhe pak orë më pas, një organizatë kriminale e ngritur, e mbështetur, e pranuar publikisht nga PD, ekzekutoi në qendër të qytetit të Elbasanit, një qytetar autokton të Elbasanit”.
Ai bëri gjithashtu përgjegjës edhe Policinë e Shtetit, e cila ishte njoftuar se në mjetin me logon e PD-së udhëtonin persona të armatosur.
“Policia e Shtetit duhet të ngrihet në përgjegjësinë dhe në pritshmërinë e qytetarëve shqiptarë në këtë mandat të tretë tonin sepse ende nuk është aty ku unë do të kisha dëshirë ta shikoja Policinë tonë të Shtetit,” u shpreh Balla.
Ai shtoi se PS nuk kishte asnjë synim ndaj institucionit të Presidencës.
Pjerin Xhuvani ishte një figurë e përfolur në skenën politike shqiptare.
Ai ishte lakuar nga PD si një nga anëtarët e bandave që shkaktoi përplasjen PD-PS Ditën e Verës në Elbasan.
Vrasja shkaktoi reagime të shumta mes përfaqësuesve të qeverisë dhe Opozitës.
Gjithashtu, dy ditë pas zgjedhjeve, në media rrodhi raporti i policisë mbi vrasjen, i cili hodhi dyshim mbi versionin e ngjarjes së dhënë nga Policia e Shtetit.