
Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka mohuar, dje në mbrëmje, akuzat që PD ka bërë ndaj tij, lidhur me miqësinë me trafikantin e dënuar në Itali Edmond Bego dhe për favorizimin e tij në tenderë publikë.
Pak ditë më parë, deputetit i PD-së Ervin Salianji publikoi të dhënat e sistemit TIMS nga ku del se Taulant Balla ka udhëtuar 57 herë së bashku me Edmond Begon, disa herë me makinë, e disa herë me avion, madje 18 herë udhëtimet janë bërë me avion charter.

Gjatë emisionit Opinion, Taulant Balla mohoi të ketë miqësi me Begon dhe të ketë udhëtuar shpesh me të, por pranoi se e njeh dhe ka udhëtuar të paktën një herë me Begon:
“Unë kam thënë e njoh. Sot për herë të parë po them rrethanat në të cilat e njoh. Zotëria në fjalë më është prezantuar nga disa prej drejtuesve më të lartë të komunitetit mysliman. Zotëria në fjalë si sipërmarrës në vitin 2015 kur unë e kam njohur për herë të parë, fund 2014-ës, fillim i 2015-ës në mos gaboj ka kontribuar në një prej xhamive të zonës sime elektorale për të cilën komunitetit në radhë të parë dhe zotërisë i jam shumë mirënjohës.
Si kontribuues në atë xhami e kam falënderuar dhe sigurisht prej atij momenti e kam njohur sepse dhe unë dhe ti kemi pirë kafe në lokalin e këtij personi
Po kam udhëtuar [me Edmond Begon]. Bashkë me dy kolegë të tu gazetarë, bashkë me personin dhe me një grup të madh shqiptarësh kemi shkuar për të parë ndeshjen e Shqipërisë në Danimarkë.”
Mëgjithëse fillimisht deklaroi se ka udhëtuar vetëm një herë me Begon, pas këmbënguljes së gazetarit Blendi Fevziu, Balla e pranoi se ka udhëtuar disa herë por nuk i mban mend saktësisht.
Deputeti Balla tha gjithashtu se nuk ishte në dijeni se Edmond Bego ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali.