Balla për lidhjen me Begon: Nuk e kam mik, por kam udhëtuar me të

Balla për lidhjen me Begon: Nuk e kam mik, por kam udhëtuar me të

Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ka mohuar, dje në mbrëmje, akuzat që PD ka bërë ndaj tij, lidhur me miqësinë me trafikantin e dënuar në Itali Edmond Bego dhe për favorizimin e tij në tenderë publikë.

Pak ditë më parë, deputetit i PD-së Ervin Salianji publikoi të dhënat e sistemit TIMS nga ku del se Taulant Balla ka udhëtuar 57 herë së bashku me Edmond Begon, disa herë me makinë, e disa herë me avion, madje 18 herë udhëtimet janë bërë me avion charter.

Të dhënat e sistemit TIMS publikuar nga deputeti Salianji. Me inicialet TB janë shënuar udhëtimet e Taulant Ballës, ndërsa me MB janë shënuar udhëtimet e Mond Begës

Gjatë emisionit Opinion, Taulant Balla mohoi të ketë miqësi me Begon dhe të ketë udhëtuar shpesh me të, por pranoi se e njeh dhe ka udhëtuar të paktën një herë me Begon:

“Unë kam thënë e njoh. Sot për herë të parë po them rrethanat në të cilat e njoh. Zotëria në fjalë më është prezantuar nga disa prej drejtuesve më të lartë të komunitetit mysliman. Zotëria në fjalë si sipërmarrës në vitin 2015 kur unë e kam njohur për herë të parë, fund 2014-ës, fillim i 2015-ës në mos gaboj ka kontribuar në një prej xhamive të zonës sime elektorale për të cilën komunitetit në radhë të parë dhe zotërisë i jam shumë mirënjohës.

Si kontribuues në atë xhami e kam falënderuar dhe sigurisht prej atij momenti e kam njohur sepse dhe unë dhe ti kemi pirë kafe në lokalin e këtij personi

Po kam udhëtuar [me Edmond Begon]. Bashkë me dy kolegë të tu gazetarë, bashkë me personin dhe me një grup të madh shqiptarësh kemi shkuar për të parë ndeshjen e Shqipërisë në Danimarkë.”

Mëgjithëse fillimisht deklaroi se ka udhëtuar vetëm një herë me Begon, pas këmbënguljes së gazetarit Blendi Fevziu, Balla e pranoi se ka udhëtuar disa herë por nuk i mban mend saktësisht.

Deputeti Balla tha gjithashtu se nuk ishte në dijeni se Edmond Bego ishte i dënuar për trafik ndërkombëtar droge në Itali.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>