Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla akuzoi, të hënën, kreun e opozitës Basha dhe presidentin Meta për lidhje me politikanët e përmendur në përgjimet e Ndrangheta-s.
Pas mbledhjes në PS, Balla deklaroi për gazetarët:
“Eurodeputeti që përmendet është mik i vjetër i Lulzim Bashës e ka pasur edhe në zyrë e ka takuar edhe në Bruksel edhe në Vlorë.
Ato që janë përmendur me emër i keni në presidencë dhe miq të kryetarit të opozitës, për të tjera duroni dhe dëgjoni.”
Eurodeputeti që përmendi Balla është Lorenzo Cesa.
Balla nuk bëri asnjë deklaratë për përmbajtjen e përgjimeve: plane për të fituar tendera në shëndetësi dhe për të investuar në kulla në qendër të Tiranës.
Lidhur me nisjen e hetimeve nga SPAK-u, Balla tha se është një iniciativë positive.
Pak ditë më parë, arrestimi i dhjetra anëtarëve të grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, nxorri në pah lidhjen e tyre me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverinë Rama dhe përfshirjen e tyre në tendera korruptivë e leje ndërtimi.
E gjithë skema e pastrimit të parave të mafias italiane në Shqipëri dyshohet se kap vlerën e 250 milionë eurove.
Dosja e plotë e përgjimeve është mbi 1000 faqe dhe pritet që në ditët në vijim të publikohen pjesë të tjera të saj.
Për të lexuar më shumë për përgjimet e grupit italian mafioz të ‘Ndrangheta-s, ku dolën në pah lidhjen e tyre me zyrtarë të Bashkisë Tiranë e qeverinë Rama, klikoni këtu.