Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku njoftoi të mërkurën në një konferencë për shtyp se Forcat e Armatosura do të marrin në ruajtje godinën e Albcontrol.
Ajo tha se Policia e Shtetit do të nxjerrë nga godina kontrollorët “që janë duke shkelur ligjin”.
“Ndaj nga ky moment ndërtesa do të merret në ruajtje nga Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Nga ky moment Policia e Shtetit do të bëjë detyrën për të liruar ndërtesën nga ata kontrollorë që kanë vendosur që të mos jenë më kontrollorë”, tha ajo.
“Të gjithë të tjerët, vajza e djem që janë rritur në Albcontrol shpresoj që t’i kthehen detyrës dhe të harrohet sa më shpejt kjo histori”, tha Balluku.
Ajo i bëri thirrje kontrollorëve të trafikut ajror që të kthehen në detyre sipas organizimit të turneve që kanë pasur më herët.
“Nuk kishte disponim financiar, pra nuk punoni; nuk ka para. Dëgjova avokatin tuaj që thoshte; që të marrin kredi dhe ta paguajnë. Ju sot pagat i merrni për shkak të një kredie. Ka marr një kredi Albcontrol nga Eurocontrol dhe sot ka nisur pagesa e parë e këstit. Nëse na sugjeroni që të marrim një tjetër kredi; jo nuk e marrim dot”, tha Balluku.
Ajo tha se të gjithë ata që nuk janë duke kryer punën e tyre nuk janë më në shërbim dhe do të nxirren nga godina.