Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nënshkroi një marrëveshje me Exxon Mobil dhe Excelerate Energy.
Marrëveshja u firmos nga ministrja Belinda Balluku dhe përfaqësues të kompanive. Ceremonia u zhvillua në Hjuston, Teksas dhe në një lidhje direkte nga Tirana kryeministri Edi Rama dhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim përshëndeti marrëveshjen.
Kjo marrëveshje përfshin zinxhirin e plotë, duke nisur nga konvertimi i TEC Vlorë me LNG, tek ndërtimi i një terminali të ri gazifikimi, dhe deri tek shpërndarja në shkallë të vogël e LNG, duke shndërruar kështu Vlorën në pikë rajonale shpërndarëse.
Ministrja Balluku falënderoi mbështetjen që ambasadorja amerikane në Tiranë i ka dhënë këtij projekti.
“Ne kemi nevojë për rritjen e sigurisë së furnizimit me energji, kemi nevojë për së paku një burim të besueshëm për prodhimin e energjisë elektrike dhe termocentrali i Vlorës është konsideruar prej një kohe të gjatë si një burim i tillë. Projekti për termocentralin e Vlorës është 20-vjeçar.”, u shpreh Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se ky projekt do të sjellë përfitime në të gjithë rajonin.
“Qeveria Shqiptare është shumë entuziaste për t’a eksploruar këtë mundësi me dy lider të kësaj industrie dhe do të donte të falënderonte Departamentin Amerikan të Energjisë dhe Ambasadën Amerikane që na bënë bashkë e që mbështetën këtë bashkëpunim, i cili do të forcohet edhe më tej mbi partneritetin strategjik midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Balluku.