Bandat e krimit dhe drogës po kthen në shqetësim serioz për Gjykatën e Vlorës. Kreu i Gjykatës së Vlorës Skënder Haluçi ka deklaruar se ndaj gjyqtarëve është ushtruar presion në lidhje me dosje të caktuara, kryesisht në lidhje me trafikun e drogës apo me atentatet mafioze që kanë ndodhur kohët e fundit në Vlorë.
“Kemi marrë kërcënime e presione të ndryshme, unë e gjyqtarët, në lidhje me çështje të caktuara, por trupa gjyqësore dhe kryetari i kësaj gjykatë nuk do të tërhiqen nga bandat kriminale”, u shpreh Zoti Haluçi.
Kreu i gjykatës shpjegon se kohët e fundit kriminaliteti në Vlorë është rritur ndjeshëm, veçanërisht kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike dhe vrasjet. Shumë pak çështje janë zgjidhur dhe në pjesën më të madhe të rasteve të arrestuarit, kryesisht për kultivimin e bimëve narkotike, janë të moshuar, ç’ka lë vend për dyshime.
Zoti Haluçi ngre shqrtësimin se në shumicën e rasteve hetimet nuk shkojnë deri në fund.
Një muaj më parë, dy persona u vranë në një atentat mafioz në Sheshin e Flamurit. Hetimet për këtë çështje vazhdojnë ende. Ndërsa kultivimi dhe trafikimi i lëndëve narkotike është përhapur në gjithë qarkun, kjo dhe për praninë e vijës bregdetare që ndihmon trafikantët ta transportojnë drogën në Itali.